Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Lumir Abdixhiku i reagon Albin Kurtit: Jam i bindur se parimet nuk i kupton. Fjalën e dhënë edhe më pak

Lumir Abdixhiku i reagon Albin Kurtit: Jam i bindur se parimet nuk i kupton. Fjalën e dhënë edhe më pak

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, në konferencën për media, duke e akuzuar për mungesë parimesh politike, shkelje të Kushtetutës dhe përçarje të qytetarëve.

Në një postim në rrjete sociale, Abdixhiku tha se Kurti nuk e kupton kuptimin e parimeve dhe të fjalës së dhënë, duke listuar një sërë kritikash ndaj mënyrës së qeverisjes së tij.

“Jam i bindur se parimet nuk i kupton. Fjalën e dhënë edhe më pak,” – shkruan Abdixhiku, duke e cilësuar Kurtin si një njeri që “për tetë muaj bllokon shtetin duke thënë se i ka votat, por s’po e lënë, dhe në fund mashtron”.

Ai e akuzoi kryeministrin për “48 herë shkelje të Kushtetutës”, për uzurpim të institucioneve, mosrespektim të gjykatave dhe mbrojtje të të korruptuarve për arsye partiake.

“Një njeri që vetëm ofendon e përçan, që akuzon kundërshtarët politikë si tradhtarë të Serbisë vetëm pse mendojnë ndryshe. Një njeri që na izolon Republikën dhe humb të ardhmen e fëmijëve në këtë shtet”, thuhet më tej në reagim.

Abdixhiku shtoi se LDK-ja nuk do të ndalet në rrugën e saj, pavarësisht sulmeve politike, duke theksuar se partia e tij është ndërtuar mbi parime të qëndrueshme demokratike.

“LDK-në mund ta sulmoni dhe ta ofendoni – por vetëm kaq keni mundësi. LDK po ecën drejt, në rrugën e vet, për vete dhe për Republikën që e krijoi vet”, theksoi ai.

Në fund të reagimit, kryetari i LDK-së përsëriti se partia e tij do të mbetet besnike ndaj vlerave të saj tradicionale:

“LDK dje, LDK sot, LDK përgjithmonë! ✌️ Dritë do të ketë” /TV Arbëria

Kurti në garë me Abdixhikun: Në zgjedhje të reja beson që do të dal i pari, por nuk del

 

Kurti: Tentova me LDK-në dhe Nismën, s’deshën qeveri të udhëhequr nga unë – do të mund ta zgjedhnim edhe Presidentin

Kurti sulmon LDK-në që nuk po i shkon në koalicion, ua përmend bashkëpunimin 51 ditësh, e përzinë PDK-në