Ekipi i TV Arbëria, ka udhëtuar drejt Holandës, ku nesër, më 14 shtator, pritet të mbahet protesta e paralajmëruar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Kjo protestë është thirrur nga OVL -UÇK dhe organizata e shoqata shqiptare të diasporës, të cilat synojnë të shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj procesit gjyqësor që po zhvillohet dhe të kërkojnë, siç thonë, drejtësi për luftën e UÇK-së.
Sipas organizatorëve, pritet që protestues të shumtë nga vende të ndryshme të Evropës të marrin pjesë, duke e bërë këtë manifestim një ndër më të mëdhenjtë që është organizuar deri më tani në lidhje me këtë çështje.
Teksa paralajmërimet për protestë madhështore i konfirmoi sot edhe vet kryetari Hysni Gucati në një lidhje direkte për TV ARBËRIA ku ndër tjerash tha se, “mërgata nuk ka qenë kurrë më e mobilizuar dhe e bashkuar se në këtë protestë”. Derisa theksoi se përveç tjerash ka edhe shumë familje që janë duke ardhur edhe me fëmijë.
TV Arbëria do të mbulojë nga afër zhvillimet e protestës, dhe intervista me organizatorë, pjesëmarrës dhe njohës të procesit.
Gazetari Val Ajazi do të sjellë për publikun pamje ekskluzive dhe informacione të detajuara nga vendi i ngjarjes.