Shkruan: Afrim Kasolli
Sa më shumë që po afrohet skadimi i afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese për themelimin Kuvendit të Kosovës, aq më e qartë po bëhet e ditur pamundësia e krijimit të një koalicioni qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Nisma Social Demokrate për Kosovës. Madje në funksion të blerjes sa më shumë kohë për këtë amulli, presidentja Osmani, i është drejtuar dje Gjykatës Kushtetuese, me kërkesën e që kjo e fundit ta pezullojë atë limit kohor.
Sipas asaj që është thënë në publik, kryetari Fatmir Limaj, ia ka kërkuar liderit të partisë fituese të zgjedhjeve, Albin Kurti, pozitën e kryeparlamentarit si parakusht për marrëveshje. Me qëllim të gjetjes së një kompromisi të dy drejtuesit politikë, janë takuar javën e kaluar për nga një kafe. Ndërkohë, në një konferencë për shtyp, pak ditë pas atij takimi, kryetari i Vetëvendosjes, ka pohuar së ne fund të kësaj jave do të dihet se a do të kemi apo jo marrëveshje?. Ndonëse si Limaj ashtu edhe Kurti, kanë qenë hermetik, sa i përket përmbajtjes së asaj se çka kanë biseduar ne atë takim, megjithatë sipas spekulimeve mediale, ky i fundit i ka ofruar të parit edhe një ministri më shumë, vetëm që Limaj të heq dorë nga kërkesa e tij bazike politike. Është përmendur edhe ministria e Infrastrukturës, ministri kjo që dikur e kishte drejtuar kryetari i Nismas, si pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës dhe që i kishte sjellur jo pak telashe. Mbetet të verifikohet se sa janë të vërteta këto pohime. Por nëse po, atëherë shihet qartë se Kurti e ka ofenduar bashkë biseduesin e tij, duke e trajtuar si dikush që mund ta ndryshojë qëndrimin politik në momentet e fundit, nëse i ofrohet perspektiva a menaxhimit të një dikasteri qeveritar që zakonisht konsiderohet se ka një qarkullim më të madh financiar. Pra duke e trajtuar atë pa qëllime politike, e që mund të joshet nga konsiderata monetare. Kam shkruar edhe në të kaluarën për arsyen se pse të dy liderët kanë frikë nga njëri—tjetri që ta sakrifikojnë këtë pozitë të rëndësishme shtetërore, frikë kjo e cila mund të jetë shkaku kryesor që do të mund ta pengonte një akord eventual ndërmjet tyre.
Se Albin Kurti nuk ka ndërmend të tërhiqet nga pozicioni për pozitën e kryeparlamentarit tashmë po verifikohet edhe vartësit e tij. Gjatë ditës së djeshme, ish-Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar “se brenda Grupit Parlamentar të përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa, nuk ka pajtim që kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, t’i jepet posti i Kryetarit të Kuvendit”. Ndërkohë, po ashtu sot, njëri nga deputetet e këtij subjekti Armend Muja, ka bërë me dije se “VV-ja, nuk ia jep postin e kryetarit të Kuvendit, Fatmir Limajt”. Sipas këtij të fundit, “nuk mund të negociohet me parimet bazë të demokracisë. T’i jepet posti kaq i rëndësishëm kur ke dy-tre deputetë, nuk ka mundësi ashtu”.
Sidoqoftë, nuk ka shpjegim më qesharak se sa teza se mbrojtja e “parimeve demokratike”, apo se Albin Kurti nuk ka fuqi të brendshme për ta tejkaluar këtë pengesë për shkak të rezistencës që dominon kundër tij. E vërteta është se vetëm lideri i Vetëvendosjes nuk është i gatshëm për këtë opsion dhe askush tjetër.
Kështu, në bazë të këtyre kushteve, marrëveshja ndërmjet këtyre dy partive do të ishte e mundur vetëm nëse komandat Çeliku(Limaj) do të zbutet për më shumë ministri. E nëse ky i fundit nuk i nënshtrohet kësaj alkimie politike atëherë fundi i bllokadës nuk shihet në horizont.