Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po futemi në javët vendimtare për Asociacionin?

A po futemi në javët vendimtare për Asociacionin?

Shkruan: Afrim Kasolli-

Që kur ishte pranuar aplikacioni i Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, ishte bërë e qartë se krahas kritereve të zakonshme ligjore, Kosova duhej t’i plotësonte edhe dy kushte tjera bazike, në mënyrë që ky proces të finalizohej me sukses. E para kishte të bënte me zbatimin e vendimit e vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese për regjistrimin e 24 hektarëve tokë si pronë e Manastirit të Deçanit dhe e dyta me progresin në dialogun Kosovë-Serbi.

Ndërkohë, deri sa për të parën pas një hezitimi dhe denoncimi të gjatë që protagonistët kryesorë të pushtetit aktual, sikur se presindetja Vjosa Osmani, kryemisitri Albin Kurti dhe kryeperlamentari Glauk Konjufca, i kishin bërë këtij vendimi, për interesa të brendshme elektorale, më në fund Kryeministri i Kosovës, e urdhëroi Agjencinë Kadastrale të Kosovës që ta regjistrojë pronën e kontestuar nën emrin e Manastirit, sepse ky paraqet një kusht për një sukses më të madh diplomatik të shtetit të Kosovës, sikur se anëtarësimi në Këshill të Evropës.

Mirëpo, duke e bazuar në komunikatën zyrtare të këtij institucioni ditën e rekomandimit nga Komiteti  Ministror i Këshillit të Evropës për Asamblenë Parlamentare të Këshillit për anëtarësimin e Kosovës ishte thënë qartë se ky trup e mori këtë vendim, duke pasur parasysh edhe marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe marrëveshjen e Ohrit të 18 marsit 2023, të arritura në dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe rëndësinë që të gjitha palët t’i zbatojnë ato në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim. Prandaj, duke u bazuar në këtë fakt, para pak kohe, në shkrimin “Vështirësitë e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës”, pata shkruar, se është iluzore të shpresohet se ky kriter nuk do të merret në konsideratë.

Ndërkohë, jo shumë kohë më parë, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kishte deklaruar se këto do të jenë javët dhe ditët vendimtare mbi detyrat që e presin Qeverinë e Kosovës në raport me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe. Ndonëse i njëjti nuk e kishte specifikuar se çfarë leva të presionit do të përdoreshin ndaj Kosovës për ta zbatuar këtë detyrim. Këtu nuk duhet harruar se ishte i njëri lider, që gjatë vizitës në Tiranë, përafërsisht kishte deklaruar se Franca është pajtuar me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke u bazuar në premtimin e Kosovës se do t’i zbatojnë marrëveshjet me Serbinë që dalin nga plani franko-gjerman për normalizimin  e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Se nuk ka gjasa që kriteri i vetëm për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, të jetë vetëm regjistrimi i 24 hektarëve tokë si pronë e Manastirit të Deçanit, ishte vërejtur edhe nga mënyra se si ambasadorët e vendeve perëndimore dhe përfaqësuesit e shteteve të Quintit e kishin përshëndetur këtë vendim. Në dallim nga herat e kaluara ku e potenconin këtë kusht, gjatë dy ditëve të fundit ata vetëm e vlerësuan këtë akt, si shprehje e një guximi politik dhe si përkushtim të Kosovës për sundim të ligjit.

Sidoqoftë, e tërë ajo që dihej dhe nuk thuhej u konfirmua sot, në një intervistë për mediumin Evropa e Lirë, nga i dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriell Escobar, duke pohuar, se “janë edhe dy kushte tjera për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, shpronësimet në veri dhe Asociacioni.

Këto zhvillime dramatike tregojnë se kemi hyrë në javët dhe ditët vendimtare sa i përket themelimit të Bashkësisë se komunave me shumicë serbe. Ndërkaq, sa i përket kundërshtimit të deri-tanishëm të kësaj teme nga kryeministri Kurti, tashmë nuk mund ta marrim seriozisht, sepse ai e ka arsyetimin e gatshëm,  se një vendim të tillë, ndonëse “jo të drejtë, por të arsyeshëm po e merr për hir të interesave më të mëdha të shtetit. Nuk kemi parë gjë akoma. Drama do të vazhdojë më të njëjtit aktorë në skenë.

Kështu, pavarësisht motiveve të skenaristit dhe regjisorit që ajo të jetë një shfaqje tragjike, si duket po përfundon në të kundërtën e këtij modeli në një performancë komike. E, sipas Hegelit, në ligjëratat e tij mbi “Estetikën” dallimi ndërmjet këtyre dy gjinive artistike, qëndron në faktin se deri sa në “tragjedi heroi e mohon vetën për ta ruajtur substancën shtetërore, në rastin e komikes, heroi e dëmton të parën për ta shpëtuar pushtetin personal”.

 

/TV Arbëria

 

Powered by WordPress