Me 12 maj të vitit 2022, Republika e Kosovës ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Kurse me 24 prill të vitit 2023, Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, mori vendim për t’ia përcjell Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.
Pro këtij vendimi votuan 2/3 e anëtarëve të Komitetit Ministror, apo shprehur numerikisht, 33 vota qenë për, shtatë kundër dhe pesë abstenime.
Pas kë tij vendimi, Asambleja e Parlamentare i ka caktuar dy ekspertë për të hartuar një raport mbi Kosovën, i cili ka për të detyrë të bëjë vlerësimin mbi “përshtatshmërinë e sistemit ligjor të Kosovës me parimet e Këshillit të Evropës”.
Po ashtu, u caktuan edhe dy raportues nga Komiteti për çështje Ligjore dhe Komiteti për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut që do t’i përgatisin raportet e tyre për Kosovën. Këto raporte dorëzohen në një seancë plenare në Asamblenë Parlamentare.
Nëse ato miratohen me 2/3 e votave, atëherë Komiteti i Ministrave e fton Kosovën që të behët pjesë Këshillit të Evropës.
Në aspektin procedural me kalimin e fazës së parë, Republika e Kosovës e ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në këtë organizatë evropiane. Shpresat për anëtarësim u shtuan edhe më shumë, sidomos pas përjashtimit të Federatës Ruse nga Këshilli i Evropës për shkak të luftës pushtuese në Ukrainë .
Po ashtu, nuk pritet që të ketë shumë telashe sa i përket “përshtatshmërisë se sistemit ligjor të Kosovës me parimet e Këshillit të Evropës”, sepse Kosova, që nga shpallja e Pavarësisë si dhe miratimi i Kushtetutës, e filloi ndërtimin e sistemit politik dhe ligjor, duke i inkorporuar brenda rendit kushtetues shumë nga konventat, vendimet e Këshillit të Evropës, instrumentet ndërkombëtare si dhe duke i respektuar vendimet e GJED, etj.
Mirëpo, sfida kryesore mbetet të jenë kriteret politike. Dhe kjo ishte bëre e qartë që në njoftimin zyrtar të Këshillit, ku thuhej se ky trup e mori vendimin, duke pasur parasysh edhe parasysh edhe marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe marrëveshjen e Ohrit të 18 marsit 2023, të arritura në dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe rëndësinë që të gjitha palët t’i zbatojnë ato në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.
Kohën e fundit, janë shtuar gjithnjë e më shumë dyshimet se kjo nismë e Republikës së Kosovës mund të dështojë nëse institucionet e Kosovës nuk e zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit.
Me 20 maj të vitit 2023, vendet e Quniti-it në një deklaratë të përbashkët për media ishin shprehur “qartë se moszbatimi i këtij vendimi e pengon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”. Prandaj, shefat e misioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, dhe Bashkimit Evropian përsëriten thirrjen ndaj Qeverisë së Kosovës “që të zbatojë plotësisht dhe me urgjencë regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit”.
Siç dihet, kontesti gjyqësor rreth çështjes se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyll – ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit mesjetar të Deçanit – ka zgjatur 16 vjet.
Mirëpo, me 20 maj 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës morri vendim në favor të Manastirit të Deçanit, por ai nuk është zbatuar ende.
Ndërkohë, para pak dite edhe ambasadori gjerman në Kosovë në një intervistë për media ka deklaruar se nuk e sheh që kandidatura e Kosovës mund të ketë sukses nëse nuk zgjidhet çështja e Manastirit të Deçanit.
“Tash për tash çdo qeveri e Kosovës nuk e ka zbatuar këtë vendim. Ndonjëherë duhet kohë për të bërë gjënë e duhur, por nuk shoh se kandidatura e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës do të zbatohet me sukses nëse kjo çështje nuk zgjidhet”.
Kurse pa kaluar as 24 orë nga ky “kërcënim” i diplomatit gjerman, Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola Von Cramon, po ashtu, deklaroi se Kosova vështirë se mund të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, sidomos për shkak të mos-zbatimit të vendimit për Manastirin e Deçanit dhe deklarimeve publike të liderëve kosovarë se nuk do të ecin tutje me këtë vendim. Sipas kësaj euro –deputete, “liria e besimit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese merren shumë seriozisht nga Këshilli i Evropës”.
Në mbështetje të zbatimit të këtij vendimi mund të konsiderohet edhe Takimi i Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, shefit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, ambasadorit të Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, ambasadorit të Italisë, Antonello De Riu dhe zëvendës Ambasadorit të Francës François Cyprien me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gresa Caka-Nimani.
Ambasadori Szunyog ritheksoi thirrjen tashmë të njohur se “vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen plotësisht”.
Ndërkaq, ekspertë juridikë kanë pohuar në vazhdimësi se anëtarësimi i Kosovës, i Kosovës në Këshillin e Evropës u mundëson qytetarëve të Kosovës që të ushtrojnë padi në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në kohën kur ata konsiderojnë se shteti i caktuar ua ka shkelur të drejtat.
Kjo gjykatë trajton çdo rast kur ankuesi është personalisht dhe drejtpërdrejt viktimë e shkeljes së të drejtave dhe garancive të përcaktuara në protokollet e saj.
Pra, nëse Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut konstaton shkelje të një ose më shumë të drejtave dhe garancive që parasheh Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, gjykata mund të nxjerrë vendime detyruese që i obligojnë shtetet të pajtohen me të.
Rrjedhimisht, qytetarë t e Kosovës do të përfitonin një instrument shtesë juridik në mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Duke mos harruar as faktin se, grupi i ekspertëve për kushtetutë nga Këshilli i Evropës, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.
Vlen të kujtohet, se Këshilli i Evropës është një trup i pavarur multinacional nga institucionet e Bashkimit Evropian. Kjo organizatë është themeluar në vitin 1949, dhe merret me mbrojtjen e të drejtave të drejtat e njeriut, demokracisë si dhe sundimin e ligjit. Selia e saj gjendet në Strasburg të Francës.
Mirëpo, edhe pse e pavarur nga institucionet e BE-se, megjithatë “deri më tani ka qenë thuajse një rregull i pashkruar që asnjë shtet nuk është bërë anëtar i Unionit Evropian pa u bërë pjesë e Këshillit të Evropës”.
Hap ky, që tregon se sa i rëndësishëm mbetet anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë edhe në raport me aspiratat tjera integruese sikur se ai për në BE, e për të cilën Kosova ka aplikuar në dhjetor të vitit 2022.
Ndërkohë, Kosova ka pasur jo pak telashe viteve të fundit me Këshillin e Evropës, për shkak të miratimit të raportit të Dick Martit kundër përfaqësuesve kryesorë të UCK-së, i cili i hapi rrugën krijimit të Gjykatës Speciale.
Proces ky, që po zhvillohet ende në Hagë kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetareve të Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, edhe ish-deputetit Rexhep Selimi, ku edhe është vendosur selia e Gjykatës Speciale. /TV Arbëria