Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar të mërkurën rezultatet e tri raporteve të auditimit, atë për prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Infrastrukturës për vitin 2021, mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga MINT dhe sistemet e Informacionit në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.
Sa i përket Ministrisë së Infrastrukturës, Spanca tha se vetëm në vitin 2021 kjo ministri kishte kontraktuar afër gjashtë milion euro për 26 kontrata aneks, me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Prej tyre, ZKA ka audituar 13 kontrata vlera e të cilave është mbi 4 milion euro apo afër 70% e vlerës së kontratave të lidhura gjatë vitit me këtë procedurë.
“Një projekt i cili kishte pësuar ndryshime substanciale është projekti për rrugën Deçan-Mali i Zi. Kërkesa ishte që gjerësia e rrugës nga 6 metra të bëhet 7, rrjedhimisht ky ndryshim kishte dëmtuar ekonominë e projektit për afër 830 mijë euro. Në dy projekte, atë të autostradës në Gjilan dhe Rrugës “Dragash – Brod”, Ministria, gjegjësisht projektuesi, nuk i kishte identifikuar dhe përfshirë në projekt të gjitha objektet që preken nga projekti rrugor. Mungesa e vizitës në punishte para lidhjes së kontratës, nga ana e Ministrisë, ka ndikuar në mos përfshirjen e të gjitha objekteve në projektin kryesor”, thekson Spanca.
“Rezultatet e auditimit tregojnë se MINT-i/KIESA nuk ka arritur efektet e duhura në përkrahjen dhe ngritjen e kapaciteteve të NMVM-ve dhe Zonave Ekonomike. Zonat Ekonomike të themeluara nuk arrijnë t’i përmbushin nevojat e ndërmarrjeve në vend, duke i lënë investitorët të presin me vite për zgjerimin e hapësirave të biznesit dhe rritje të prodhimit dhe të punësimit. Qeveria nuk ka arritur ti funksionalizojë zonat e lira në Mitrovicë, Gjakovë, Prizren dhe zonën e veçantë Amerikane edhe pse i kishte themeluar me vendime direkte.”, theksoi ajo.
Po ashtu Spanca ka thënë se MINT-i nuk ka zhvilluar ndonjë strategji të veçantë dhe politika për zhvillimin e NMVM-ve.
“Nga viti 2005 deri në kohën kur kemi zhvilluar auditimin (në dhjetor 2022) janë të themeluara dhjetë (10) ZE prej të cilave vetëm katër funksionojnë: Parku i Biznesit Drenas, Parku i Biznesit Mitrovicë, Parku Teknologjik Shtime dhe Parku Industrial Suharekë. Ne kemi vërejtur se në vitin 2021 dhe 2022 ka pasur realizim më të vogël të investimeve në ZE edhe pse nevoja e bizneseve për hapësira në zona ekonomike ishte e lartë. Ne vitin 2022, investimet e bëra janë vetëm 8.3% të buxhetit të planifikuar, përderisa buxheti i shpenzuar për investime për vitin 2021 ka qenë 58%”, theksoi ajo.
Si e gjetur tjetër në Zonën Ekonomike “Parku i Biznesit në Drenas”, auditori ka vërejtur se shumë bizneseve ju mungonin kushtet elementare siç është furnizimi me ujë, ku për pasojë bizneset kishin hapur puse me të cilët zhvilloni aktivitetet e tyre.
“Ndërmarrja në fjalë kishte deklaruar në aplikacion 1,009 punonjës, numër ky që tejkalon limitin prej 249 punonjësve për t’u klasifikuar si ndërmarrje e mesme për mbi 300%. Kjo ndërmarrje ka përfituar 50,000 euro për blerje të makinerisë për një nga njësitë e saj, ndërsa pjesën tjetër prej 100 mijë euro kishte deklaruar që do ta mbulonte nga burimet e veta”, theksoi Spanca.
Deri më 30 qershor ZKA planifikon të publikojë të gjitha raportet e auditimeve financiare. Ndërsa, përgjatë këtij muaji do të publikohen një numër i raporteve të auditimit të Pasqyrave Financiare të Organizatave Buxhetore dhe Ndërmarrjeve Publike, ndër të cilat janë: Ministria e Drejtësisë; Universiteti i Prishtinës; Komuna e Prishtinës; Komuna e Deqanit, Komuna e Vushtrrisë; Komuna e Ferizajit; Ndërmarrja Publike “Trainkos”; NP “Uniteti” – Mitrovicë; dhe Institucione tjera të nivelit qendror, nivelit lokal dhe Institucione të Pavarura.
/TV Arbëria