Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u shpreh se ka në plan të takojë liderin e Kinës, Xi Jinping për të diskutuar propozimet e Pekinit për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Duke folur në përvjetorin e parë të luftës së Rusisë në Ukrainë, ai tha se propozimi sinjalizonte se Kina ishte e përfshirë në kërkimin e paqes.
“Unë me të vërtetë dua të besoj se Kina nuk do të furnizojë me armë Rusinë”, tha ai, shkruan BBC.
Plani i Kinës kërkon bisedime paqeje. Megjithatë, dokumenti prej 12 pikash nuk thotë në mënyrë specifike se Rusia duhet të tërheqë trupat e saj nga Ukraina.
Autoritetet kineze deri më tani nuk i janë përgjigjur publikisht thirrjes së Zelenskyt.
Ndërkohë, Rusia përshëndeti propozimet kineze. “Ne ndajmë pikëpamjet e Pekinit”, tha në një deklaratë ministria e jashtme në Moskë.
Në fillim të kësaj jave, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se Pekini po shqyrtonte furnizimin me armë dhe municione për Rusinë – një pretendim i mohuar nga Pekini. Të premten, mediat amerikane raportuan përsëri se qeveria kineze po shqyrtonte dërgimin e dronëve dhe predhave në Moskë.
/TV Arbëria