Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > Zeka kërkon dialog publiko-privat dhe paralajmëron ulje të çmimeve

Zeka kërkon dialog publiko-privat dhe paralajmëron ulje të çmimeve

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka kërkon nga qeveria një mekanizëm të centralizuar për dialogim publiko-privat përmes të cilit odat ekonomike do të mund të adresonin shqetësimet e ndërmarrjeve të sektorit privat, pasi që sipas tij, qeveritë nuk janë duke i kushtuar rendësi kësaj çështje.

Drejtori Zeka thekson se misionet diplomatike të Kosovës, kudo që ekzistojnë duhet të avancohen në promovimin e potencialeve për investime dhe eksporte të Kosovës.

Zeka ndër të tjera flet edhe për rritjen e çmimeve, për çka thotë se deri në tremujorin e fundit të këtij viti do të ketë stabilizim të çmimeve.

Zeka: Presim që në tremujorin e fundit të këtij viti të ketë një stabilizim të çmimeve

“Sa i përket inflacionit dhe kostos së jetesës në përgjithësi duket se nuk ka pasur ende një përmirësim përgjatë këtij viti. Ndryshim të vetëm ka pasur tek çmimi i karburanteve, si çmimi i produkteve të energjisë në përgjithësi. Ajo që presim është se deri nga pjesa e tremujorit të fundit të këtij viti të fillojë të ketë një stabilizim të çmimeve të produkteve anë e mbanë botës. Ky është edhe një parashikim i institucioneve financiare ndërkombëtare që deri në fillim të vitit 2024 do të kemi stabilizim të inflacionit ose ulje të inflacionit, i cili ka shënuar rritje të jashtëzakonshme në këto tre vite, nga shpërthimi i pandemisë COVID-19, por edhe nisjes së luftës në Ukrainë”, thekson Zeka.

Zeka thotë se qeveria duhet t’i jap rëndësi më të madhe dialogut publiko-privat.

Zeka: Qeveria t’i kushtojë rëndësi më të madhe dialogut publiko-privat

“Uroj po ashtu që gjatë këtij vit, qeveria t’i kushtojë rendësi më të madhe dialogut publiko-privat, kjo nuk është që është parë si shembull i mirë përgjatë dy viteve të fundit dhe ka nevojë që të shohim një përmirësim shumë më të madh në aspektin e dialogimit me të gjithë hisedarët e rëndësishëm. Natyrisht që qeveria e ka përgjegjësinë më të madhe për drejtimin e vendit, por në demokraci të avancuara roli i hisedarëve jo politik, odave ekonomike, sindikatave e të gjithë të tjerëve është po aq i rëndësishëm, ashtu siç është edhe i profesorëve universitar ose i akademisë në përgjithësi”, thotë Zeka.

Ai shprehet se qeveria dhe palët tjera duhet të bëjnë më shumë punë në promovimin e mundësive për investime në vend.

Zeka: Duhet të gjithë t’i bashkojmë forcat në promovimin e mundësive për investimin në vend

“Përtej kësaj besoj se duhet të gjithë t’i bashkojmë forcat, natyrisht qeveria, duke i prirë këtij procesi, por edhe palët e tjera në promovimin e mundësive për investimin në vend, oferta e vendit për investitorët e huaj nuk është se është promovuar në mënyrën më të mirë të mundshme, as në këto dy vite të kësaj qeverisje por as në të kaluarën. Besoj se këtu duhet të kemi një ndryshim radikal dhe promovim më të madh edhe të mundësive për tërheqjen e investimeve por edhe të promovimit të eksporteve, dhe këtu e shohim një rol më të fuqishëm të diplomacisë ekonomike të vendit. Misionet diplomatike të Kosovës, kudo që ekzistojnë duhet të avancohen për promovim të interesave komerciale të vendit dhe promovim të eksporteve të mundshme por edhe lidhje ose vendosje të kontakteve ndërmjet bizneseve të vendeve ku ata shërbejnë me bizneset kosovare”, thotë mes tjerash Zeka.

Pavarësisht se ka një lëvizje të reformës ligjore, Zeka thekson se Kuvendi duhet ta shqyrtojë më shpejtë dhe t’i jep dritën e gjelbër këtij projektligji, i cili siç thotë ai, do të ishte i rëndësishëm për nxitjen dhe lehtësimin edhe të investimeve të jashtme, por edhe të investimeve të brendshme.

Zeka: Presim që Qeveria të fokusohet në avancimin e mëtejmë të reformës ligjore

“Presim që qeveria të fokusohet në avancimin e mëtejmë të reformës ligjore që do të ndikonte në përmirësimin e mëtejmë të mjedisit e të bërit biznes e që do ta bënte Kosovën më atraktive edhe për investitorët e jashtëm që është synim i yni i kamotshëm, por natyrisht edhe për nxitjen e investimeve të brendshme. Duket se këtu ka një lëvizje, qeveria tashmë ka miratuar projektligjin për investimet e qëndrueshme që do të zëvendësojë tërë kornizën ekzistuese ligjore, edhe për investimet e huaja por edhe për investimet strategjike, duket se është një ligj shumë më i avancuar. Uroj që Kuvendi i Republikës së Kosovës ta shqyrtojë në periudhë më të shpejtë dhe t’i jep dritën e gjelbër këtij projektligji i cili do të ishte i rëndësishëm për nxitjen dhe lehtësimin edhe të investimeve të jashtme, por edhe të investimeve të brendshme”, shton Zeka.

/TV Arbëria

Powered by WordPress