Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Zyrtarja e Putinit për propagandë përhap dezinformata: NATO furnizon Kosovën me armë

Zyrtarja e Putinit për propagandë përhap dezinformata: NATO furnizon Kosovën me armë

Përfaqësuesja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, dezinformon se “NATO furnizon Kosovën me armë dhe e ndihmon të krijojë ushtrinë e saj”, gjë që, sipas saj, “nuk lejohet nga Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

Çfarë tha Zakharova:

“NATO furnizon Prishtinën me armë dhe e ndihmon të krijojë “ushtrinë” e saj, gjë që nuk lejohet nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Me pëlqimin e heshtur të Perëndimit, autoritetet kosovare shkelin të drejtat e popullatës serbe në Kosovë dhe ndjekin një politikë të dëbimit të serbëve nga territoret që janë historikisht serbe”, tha përfaqësuesja zyrtare e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.

SHBA mbështet plotësisht tranzicionin transparent të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në forca mbrojtëse territoriale, multietnike, të ndërveprueshme me NATO-n, nën mbikëqyrjen civile.

“Në këtë drejtim, Departamenti i Shtetit ka marrë rregullisht vendime për miratimin e shitjes së armëve të jashtme për Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës për përdorim në FSK”, kanë deklaruar nga Departamenti i Shtetit në fillim të vitit.

Shitja e armëve Kosovës mbështet objektivat e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të SHBA duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së, kanë thënë në deklaratë nga Departamenti i Shtetit.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është themeluar për t’i mundësuar Kosovës që të ketë kapacitetet e saj mbrojtëse, që është pjesë e një procesi më të gjerë të stabilizimit dhe integrimit në strukturat ndërkombëtare. Ky proces është realizuar në bashkëpunim me NATO-n dhe me konsultime me komunitetin ndërkombëtar.

Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë BE-në dhe NATO-n, bën vazhdimisht thirrje për respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve etnike në Kosovë. Shumë nisma janë ndërmarrë për të përmirësuar kushtet për kthimin e serbëve.

Deklaratat e Maria Zakharovës janë pjesë e një fushate propagandistike më të gjerë që synon destabilizimin dhe krijimin e një imazhi të rremë për veprimet e supozuara armiqësore të Perëndimit.

Zaharova përdor këto deklarata për të fshehur rolin e Rusisë në nxitjen e konflikteve dhe destabilizimin në Ballkan.

Pretendimet e tilla janë në kundërshtim me faktet dhe shërbejnë si një mjet për të shpërqendruar vëmendjen nga roli i Rusisë në konfliktet rajonale./The Geopost