Taulant Xhaka dhe Baseli në ditët e fundit kishin mosmarrëveshje, gjë që u konfirmua edhe në media, por sot klubi ka njoftuar se shqiptari ka vazhduar kontratën deri në vitin 2027.
Taulant Xhaka, i cili së shpejti do të jetë 32 vjeç, ka nënshkruar një kontratë të re me Baselin që është e vlefshme deri në verën e vitit 2027.
Mesfushori iu bashkua Baselit në moshën 12-vjeçare, pra nga viti 2003.
Ai ka qenë vetëm një herë në huazim për një vit e gjysmë te Grasshopper, ndërsa me Baselin ka luajtur 346 ndeshje zyrtare.
Presidenti i Baselit, David Degen, ka thënë se janë të lumtur që kanë gjetur gjuhën e përbashkët me lojtarin, pasi ai ka merita të mëdha në sukseset e klubit.
Taulant Xhaka ka thënë se është i lumtur që do të vazhdojë të vesh fanellën e Basel edhe pse fillimisht bisedimet shkuan keq.
“Të gjithë e dinë shumë mirë që për mua nuk ka asgjë tjetër përveç FCB. Të them të drejtën, në fillim u zhgënjeva pak për mënyrën se si shkuan bisedimet”.
“Pasi u ulëm sërish bashkë, tani kemi arritur në një rezultat të lartë dhe jam jashtëzakonisht i lumtur që mund të vesh fanellën kuqeblu sa më gjatë dhe të luaj për këtë klub unik”, ka thënë Xhaka.