Roma ka prezantuar sot (e premte) sulmuesin Artem Dobvyk të cilin e transferuan nga Girona për shumën e raportuar prej 30.5 milionë euro plus shtesat, pas sezonit në të cilin u shpall golashënuesi më i mirë në La Liga.
Shifrat përfundimtare të transferimit të tij mendohet të jenë 30.5 milionë euro plus 5.5 milionë euro bonuse varësisht nga paraqitjet e tij dhe 10 për qind e shitjes së tij në të ardhmen që do t’i takojë Gironës.
Klubi italian përmes një njoftimi zyrtar ka bërë të ditur se kjo është hera e parë në histori që Roma nënshkruar me golashënuesin më të mirë të sezonit paraprak të ndonjë lige tjetër.
Worth the wait… 💪#ASRoma pic.twitter.com/caMrJlucuA
— AS Roma English (@ASRomaEN) August 2, 2024
Reprezentuesi ukrainas i cili mbushi 27 vjet në qershor, ishte transferuar në Spanjë nga ekipi ukrainas SK Dnipro në verën e vitit 2023 për shumën e 7.75 milionë eurove.
Ai pati një ndikim jashtëzakonisht të madh në futbollin spanjoll duke siguruar edhe çmimin ‘Pichichi’ si golashënuesi më i mirë në elitë.
Dobvyk ishte autor i 24 golave të shënuar dhe tetë asistimeve në 36 ndeshje të luajtura në La Liga në sezonin debutues.
Ai gjithashtu mori pjesë në Euro 2024 me Ukrainën ndërsa me kombëtaren ka shënuar 10 gola në 31 paraqitje gjithsej.
Sulmuesi shtatgjatë kishte shkaktuar polemika kur agjenti i tij kishte publikuar një fanellë me numrin nëntë në rrjetet sociale, numër të cilin e mban Tammy Abraham.
Në vend të numrit nëntë, Dobvyk tani do të mbajë numrin 11 në fanellë ndërsa pritshmëritë janë të larta që ai ta vazhdojë formën e mirë edhe në Itali./Telegrafi/