Për herë të tretë është rikthyer në rivendosje çështja përmbarimore mes kompanisë “Dardafon.net” dhe Telekomit të Kosovës lidhur me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Rasti ndërlidhet me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit lidhur me borxhin 10 milionë eurosh që Telekomi i detyrohet Dardafonit. Telekomi ka kërkuar që të anulohet vendimi i Arbitrazhit.
Shkalla e parë e gjykatës i dha të drejtë Dardafonit, por kur rasti u apelua për herë të dytë në shkallën e dytë të Komerciales, gjyqtari Faton Bajrami vendosi në favor të ankesës së Telekomit. Përveçse e ktheu lëndën në rivendosje procedurën përmbarimore, ai kërkoi edhe përjashtimin e gjyqytarit Alajdin Tërshnjaku nga lënda, një kërkesë edhe e Telekomit.
Me nxjerrjen e aktvendimit të parë nga shkalla e dytë, Komercialja dyshohet se ka vepruar në kundërshtim me Nenin 193, paragrafi 3, i Ligjit Nr. 03/L-006 “Për Procedurën Kontestimore” pasi ka qenë i detyruar të caktojë shqyrtim të drejtpërdrejtë të çështjes për shkak se në lidhje me këtë çështje juridike dy herë janë anuluar aktvendimet e shkallës së parë gjyqësore.
Ndërkaq, për herë të tretë, Shkalla e Dytë të Gjykatës së Komerciale, ka anuluar Aktvendimin e shkallës së parë me shenjën KPPP. Nr. 365/23.
Në bazë të Nenit 190, paragrafit 3, të LPK, shkalla e dytë gjyqësore detyrohet të mbajë shqyrtimin e drejtpërdrejtë të çështjes pasi dispozitat për ndryshimin e Ligjit për Procedurën Kontestimore, në mënyrë urdhëruese duke përjashtuar diskrecionin e shkallës së dytë obligojnë gjykatën e shkallës së dytë të caktojë shqyrtim të drejtpërdrejtë nëse dy herë janë anuluar vendimet e shkallës së parë për shkaqe ankimore kur kemi të bëjmë me shkelje esenciale të dispozitave kontestimore apo vërtetimit të plotë apo të gabuar të gjendjes faktike.
Në dritën e rastit në fjalë, dhoma e shkallës së dytë në përbërje të gjyqtarit Faton Bajrami, dyshohet se bazuar në ligjet në fuqi, ka qenë e detyruar të mbajë shqyrtim të drejtpërdrejtë të kësaj çështje aq më tepër për faktin se gjyqtari në fjalë personalisht dy herë radhazi ka anuluar aktvendimet e shkallës së parë dhe i ka pasur të njohura faktet e kësaj çështje përmbarimore.
Prandaj, me qëllim të shmangies të çdo shkelje procedurale apo vërtetim të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike, ai dyshohet se ka qenë i detyruar të mbajë shqyrtim të drejtpërdrejt dhe jo të prish për herë të tretë aktvendimin e shkallës së parë gjyqësore, duke i dhënë epilog kësaj çështje juridike apo duke e kthyer në shkallë të parë me qëllim të evitimit të shkeljeve që mund t’i ketë kryer shkalla e parë gjyqësore.
Procedura përmbarimore Telkom-Dardafon është duke u zvarritur nëpër institucionet gjyqësore që nga viti 2019, përkundër që objekt i përmbarimit është një titull ekzekutiv, përkatësisht një vendim arbitrazhi ndërkombëtar i zhvilluar në njërin nga institucionet më prestigjioze siç është arbitrazhi i ICC (Odës Ndërkombëtare Ekonomike).