Zëvendësministri i Jashtëm dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, thotë se Kosova ka shënuar sukses në diplomacinë e jashtme gjatë vitit 2023. Sipas tij, angazhimi është i përditshëm për të siguruar njohje të reja dhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, të cilat do të fuqizonin subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
Ai përmend Greqinë si mundësi që mund ta njohë Kosovën, pasi thekson se raportet mes dy vendeve janë përafruar shumë.
Duke folur për dialogun, ai akuzon Serbinë për moszbatim të marrëveshjes bazë, derisa thotë se prioritet bazë në këtë fazë është siguria e Kosovës.
Ahmeti në një intervistë për KosovaPress thotë se Kosova tashmë është etabluar si realitet në arenën ndërkombëtare, por shton se njohjet e reja nuk mund të vijnë “në valë” siç kanë qenë pas shpalljes së pavarësisë.
Krahas kësaj, Ahmeti është optimist se në vitin 2024 do të ketë lëvizje pozitive sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Ai deklaron se raporti i juristëve eminent të KiE-së për Kosovës ka qenë pozitive dhe se s’ka asnjë kushtëzim sa i përket dialogut me Serbinë.
Diplomati Ahmeti e sheh të nevojshme që sa më shpejt t’i jepet “drita e gjelbër” Kosovës sa i përket marrjes së statusit vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, ai kritikon Bashkimin Evropian për masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat sipas tij po e dëmtojnë vendin dhe po japin sinjal të gabuar për tërë rajonin.
Në anën tjetër, Ahmeti thotë se tashmë kanë ndryshuar rrethanat sa i përket draft-statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, pas deklarimit të emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak se kjo është çështje e brendshme e Kosovës.
Sipas tij, kryeministri Albin Kurti është i gatshëm të bëjë një draft të asociacionit, në bashkëpunim me ministrat relevantë.
Ndërkaq, paralajmëron se grupet terroriste serbe po vazhdojnë përgatitjet për sulme të tjera eventuale ndaj Kosovës.
/TV Arbëria