Zyra e Rregullatorit të Energjisë vlerëson se procesi i hapjes së tregut të energjisë elektrike është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.
ZRRE në një njoftim ka deklaruar se të gjithë konsumatorët komercialë që i kanë përmbushur kriteret për kalim në tregun e hapur, janë të obliguar të furnizohen nga një furnizues i licencuar.
“Furnizimi i përkohshëm përmes Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF) përfundon sot më 30 korrik 2025, dhe periudha tranzitore e garantuar për furnizim prej 60 ditësh është e përcaktuar në ligj dhe nuk mund të zgjatet me vendime administrative.”, thuhet në njoftim.
“ZRRE u bën thirrje të gjithë konsumatorëve komercialë që duhet të jenë në treg të lirë dhe që ende nuk kanë lidhur kontratë komerciale të furnizimit, të veprojnë pa vonesë dhe të zgjedhin një nga furnizuesit e licencuar, të publikuar në faqen zyrtare të institucionit, sepse nga data e nesërme pasojnë ndërprerjet pasi furnizimi i garantuar përmes FMF nuk do të jetë më i vlefshëm ligjërisht.”, bëhet e ditur në njoftim.