Truri i njeriut u vëzhgua si kurrë më parë. Ky rezultat u arrit nga një platformë e re, e zhvilluar nga Instituti i Teknologjisë i Massachusetts – MIT Boston. Kjo platformë lejon studimin e të gjitha hemisferave cerebrale në 3D, duke i vëzhguar ato me rezolucion të paparë, në nivele të shumëfishta. Vëzhgimi nis që nga arkitektura e indeve, vazhdon me morfologjinë e qelizave dhe më pas thellohet në detajet më të vogla qelizore dhe molekulare, siç janë lidhjet ndërmjet neuroneve.
I testuar në një tru të shëndetshëm dhe në një me sëmundjen e Alzheimer, ky lloj zmadhimi bëri të mundur hetimin e dëmtimit të pësuar nga indi i sëmurë.
Përdorimi i tri teknologjive të reja
Për të arritur këtë, ekipi hulumtues kombinoi tri teknologji të reja: një mikrotomë vibruese, një mjet që “pret” indet me një prerje ultra të saktë pa humbur lidhjet midis qelizave; një hidrogel që i bën mostrat e indeve të qarta, elastike, për t’i studiuar ato në shkallë të ndryshme. Në fund, është softueri që rikompozon hemisferën cerebrale në 3D, madje duke rivendosur shtrirjen e enëve të gjakut dhe lidhjet midis neuroneve. Përzierja e këtyre teknologjive i lejon shkencëtarët të studiojnë mostrat pa i degraduar ato, përkundrazi, indet bëhen të qëndrueshme dhe mund të analizohen disa herë edhe pas disa vitesh.
Përparësitë e platformës së re
“Ne parashikojmë që kjo platformë teknologjike do të përmirësojë të kuptuarit tonë për funksionet e organeve njerëzore dhe mekanizmat e sëmundjeve, për të nxitur zhvillimin e terapive të reja”, thonë studiuesit e MIT.
Sipas tyre, vëzhgimi i hemisferave të tëra të trurit të njeriut është dyfish i rëndësishëm. Para së gjithash, lejon studimin e aspekteve të shumta në të njëjtën kohë në një tru të vetëm, pa pasur nevojë për njerëz të ndryshëm që mund të kenë dallime të rëndësishme. Së dyti, shpejtësia e ekzekutimit të kësaj qasjeje lejon krijimin e shumë mostrave për të përfaqësuar gjinitë, moshat dhe gjendjet e ndryshme të sëmundjes.