Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Ziv falënderon Kosovën që “i qëndron pranë” Izraelit, thotë se marrëveshja për vizat hap dyert për bashkëpunim

Ziv falënderon Kosovën që “i qëndron pranë” Izraelit, thotë se marrëveshja për vizat hap dyert për bashkëpunim

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar  Ziv, ka thënë se është nder që sot të mirëpres një numër të mysafirëve në ngjarjen e organizuar për nder të 76-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Izraelit dhe nënshkrimin e marrëveshjes për heqjen e vizave ndërmjet Izraelit dhe Kosovës.

Ajo para të pranishmëve ka pohuar se rrugëtimi i izraelitëve për të krijuar shtetin e tyre nuk ka qenë i lehtë. Sipas saj, janë përballur me sfida dhe vështirësi që nga shpallja e krijimit të shtetit të Izraelit 76-vjet më parë.

“Sidomos ky vit na ka sfiduar dhe i ka bërë edhe më domethënëse fjalët e himnit tonë kombëtar, pra: ‘të jemi popull i lirë në tokën tonë, tokën e Sionit dhe të Jerusalemit’. Këtë vit, duke qenë mirënjohës për 76 vjet Pavarësi dhe arritje, në të njëjtën kohë jemi ende në zi për ngjarjet e 7 tetorit, ende në pritje të lirimit nga ferri të 120 pengjeve, ende duke luftuar në dy fronte, dy organizata terroriste të orkestruara nga Irani, ndërsa po nuk po e kemi gjithmonë të lehtë që ta shpjegojmë të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur”, ka thënë Ziv.

Ajo ka falënderuar kosovarët për mbështetjen që u kanë dhënë kur grupi terrorist Hamas ka marrë 120 pengje.

“Dëshiroj të shfrytëzoj rastin të falënderoj të gjithë ata në Kosovë, duke përfshirë qeverinë, partitë në pushtet dhe partitë opozitare, si dhe qytetarët nga të gjitha sferat e jetës, të cilët që nga shpërthimi i sulmit terrorist të 7 tetorit kanë qëndruar pranë Izraelit duke e dënuar sulmit dhe duke na forcuar”.

Tutje, Ziv u shpreh se marrëveshja për heqjen e vizave do të hapë dyert për bashkëpunim në fusha të ndryshme, duke përfshirë teknologjinë, arsimin, kulturën dhe turizmin.

“Në frymën e optimizmit dhe shikimit nga e ardhmja, kam kënaqësinë të festoj këtu sonte nënshkrimin e marrëveshjes për heqjen e vizave ndërmjet Izraelit dhe Kosovës. Kjo marrëveshje është ajo që lehtëson zhvillimin e marrëdhënieve mes nesh. Nënshkrimi i marrëveshjes për heqjen e vizave shënon një moment të rëndësishëm historik, duke simbolizuar lidhjen në rritje midis dy shteteve tona. Kjo marrëveshje jo vetëm që lehtëson udhëtimin dhe forcon lidhjet personale dhe të biznesit, por gjithashtu pasqyron përkushtimin tonë të përbashkët për të nxitur lidhjet dhe bashkëpunimin më të ngushtë”.

“Marrëveshja do t’ua mundësojë njerëzve tanë të eksplorojnë vendet e njëri-tjetrit, të shkëmbejnë përvoja dhe të ndërtojnë miqësi të qëndrueshme. Ky partneritet nënkupton një hap përpara në hapjen e rrugës për bashkëpunim më të madh dhe përfitim të dyanshëm”, ka pohuar Ziv.