Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Zinxhiri i lekut

Zinxhiri i lekut

Shkruar nga Agron Hoti

Duke qenë se shteti vazhdon të jetë punëdhënësi më i madh në Kosovë, atëherë është normale që të bërit biznes vazhdon të shkojë kryesisht – nëse jo ekskluzivisht – vetëm përmes politikës. Po flasim këtu për biznese të mëdha e jo ato që punojnë për një kafshatë goje, apo siç thotë populli veç sa për gadare. Sigurisht që përjashtime ka.

E pastaj politika që drejton shtetin për të arritur te leku, para se gjithash ka instaluar dhe vazhdon të instalojë njerëz nëpër pozita kyçe nëpër ministri, komuna, agjenci e borde të ndryshme me qëllimin e vetëm mbulimin mirë e më mirë me letra të miliona tenderëve apo çështjeve të ndryshme.

Çështja ishte dhe është vetëm se si të ndërtohej apo ndërtohet zinxhiri i lekut. Kur sigurohet mirë 2/3 e zinxhirit të lekut (politikë+administratë), duhen pastaj edhe njerëzit respektivë që t’i hapin firmat për t’i kryer punimet dhe për t’i marrë lekët. Pra, zinxhiri i lekut kompletohej dhe kompletohet edhe sot vetëm me hapje të bizneseve politike. Tenderët s’i merrnin ashtu siç s’i marrin as sot bizneset profesioniste me kapital të zhvilluar njerëzor, por vetëm ato që ishin dhe janë në shërbim të politikës. E politika si dje ashtu edhe sot vazhdon t’i prijë valles së zinxhirit të lekut.

Dhe tash, për të funksionuar pa probleme zinxhiri i lekut (politikë+administratë+biznese) strukturat drejtuese të partive politike s’donin ashtu siç s’duan as sot të kenë afër vetes njerëz profesionistë e me kredibilitet, por vetëm të tillë që e zbatonin dhe zbatojnë (pa pasur të drejtë të mendojnë) zinxhirin e lekut. Në funksion të lekut ndërtohej dhe ndërtohet edhe sot pothuaj tërë struktura partiake, fitoheshin dhe fitohen zgjedhjet, ndaheshin dhe ndahen postet ministrore, deputetore, agjenciore e bordore.

Kështu pra krijohej dhe vazhdon të krijohet një strukturë partiake që s’guxon as të ketë mendim individual për asgjë, por vetëm ta zbatojë zinxhirin e lekut. E rëndësishme është që struktura e zinxhirit të lekut ushqehej dhe ushqehet si e tërë, në mënyrë që pastaj të heshtnin dhe të heshtin të gjithë përballë mënyrës se si funksiononte dhe vazhdon të ecën zinxhiri. Heshtja dhe ruajtja e informacionit është alfa dhe omega për të mirëfunksionuar zinxhiri i lekut.

E mjerisht është zinxhiri i lekut ai që pengon çfarëdo reforme partiake apo meritokracie në administratë publike e aq më pak në krijimin e një konkurrence të shëndoshë ku bizneset do të mund të trajtoheshin të barabarta dhe ku e tëra do të krijonte një sektor privat konkurrues brenda dhe jashtë vendit. Kësifar masllahati ka ndodhur dhe po ndodh në të gjithë sektorët e vendit pa përjashtim.

Mjerisht, përreth çdo ministrie, komune apo agjencie ka një grumbull firmash private, të cilat të lidhura me zinxhirin e lekut peshkojnë çdo tender, kuptohet duke u mbuluar me letra më shumë sesa që është e nevojshme vetëm e vetëm për t’i shpëtuar burgut. Nuk ka pasur asnjë shans dhe nuk ka as sot që të marrë dikush projekt apo tender që ishte apo është jashtë zinxhirit të lekut.

Duke u përjashtuar profesionistët dhe njerëzit me kredibilitet nga strukturat drejtuese të partive politike, nga administrata publike dhe sektori privat, atëherë kjo sigurisht që e ka ngulfatur meritokracinë në vend, si rezultat i së cilës ka ikje të frikshme edhe të atyre profesionistëve të paktë që kanë mbetur në vend.

Dhe në fund kur i dëgjon njerëzit e zinxhirit të lekut (politikë-administratë-biznese) duke folur për ligj, shtet e komb pa e vrarë fare ndërgjegjen për dëmet e mëdha që ia kanë shkaktuar dhe po ia shkaktojnë shtetit e kombit pikërisht duke u fshehur pas ligjit me letra, atëherë sigurisht që kjo do të vazhdojë ta ngulfasë produktivitetin e shoqërisë si të tërë. Një shoqëri pa meritokraci është si pula pa kry (kokë).

Themes by WordPress