Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Zgjedhjet që nuk ofrojnë zgjidhje ne veri

Zgjedhjet që nuk ofrojnë zgjidhje ne veri

 Shkruan: Afrim Kasolli

Në katër komunat veriore sot mbahet referendumi për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë. Ky proces, sipas Udhëzimit Administrativ të Ministrisë të Administrimit dhe Pushtetit Lokal është parakusht për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

 

Mirëpo, që ky votim të jetë i suksesshëm, kundër kryetarëve aktualë duhet të përcaktohen 50+1 përqind e trupit elektoral në komunat përkatëse. Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka paralajmëruar se do ta bojkotojë këtë verdikt dhe në këtë mënyrë sipas të gjitha gjasave i gjithë ky proces do të dështojë.

 

Kështu, kryetarët shqiptarë në komunën e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut, do të kenë shansin ta vazhdojnë pushtetin e tyre deri në fund të mandatit, por me një legjitimimtet të cunguar qytetarë. Kjo temë i ka shkaktuar jo pak telashe Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar që sa më shpejt të organizohen zgjedhjet e reja. Për këtë, diplomatë perëndimorë, patën rekomanduar që mbartësit e pushtetit të jepnin dorëheqjen.

Mirëpo, Qeveria e Kosovës nuk e ka përfillur këtë rekomandim.

 

Dhe ka insistuar që zgjedhjet mund te mbahen vetëm me anë të referendumit. Për këtë arsye, Kosova është vendosur nën masa sanksionuese. Madje ato nuk u suspenduan as pas sulmit paramilitar dhe terrorist nga Serbia me 24 shtator.

Kështu, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajacak, e ka pranuar publikisht se njëra nga arsyet pse vendet e BE-së, insistojnë në mos suspendimin e atyre masave, ka të bëjë me zgjedhjet në veri. Në këtë kontekst, dështimi eventual i referendumit sot nuk oforon asnjë rrugë dalje nga kriza aktuale.

 

Madje është edhe interes i Serbise dhe presidentit të saj Aleksandër Vuçiq, që kjo krizë të mbahet në territorin e Republikës së Kosovës. Këtu duhet kërkuar edhe arsyen e bojkotimit të referendumit sot nga Lista Serbe. Kurse, kjo krizë ka gjasa të thellohet edhe me shumë kur marrim parasysh natyrën e zhvillimeve dinamike ndërkombëtare.

 

Përkeqësimi i situatës së sigurisë në Lindje të Mesme, për shkak të tensioneve ndërmjet Izrealit dhe Iranit, si dhe ngërçi i luftës në Ukrainë, mund t’i akslerojnë konfliktet edhe në vatrat tjera fragjile gjeopolitike, siç është edhe Veriu i Kosovës.

 

Sepse është interes i Rusisë, që të nxit tensione të kësaj natyre edhe në vende tjera, me qëllim që ta zhvendos vëmendjen nga lufta në Ukrainë, sidomos tash kur Dhoma e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan ka miratuar me një mbështetje të gjerë dypartiake ndihmën ushtarake prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin.

 

Nuk është e rastësishme që para pak dite, Agjencia e Inteligjencës Nacionale amerikane paralajmëronte shtim të tensioneve ndër etnike në rajonin tonë për vitin 2024. Kurse, komandanti suprem i NATO-se për Evropë, Christopher Cavoli, ka kërkuar trupa shtesë edhe për Kosovën nga frika e përshkallëzimit të situatës.

Ankthin e SHBA-së, me gjendjen e sigurisë në Ballkanin Perëndimor e shpreh edhe miratimi i projektligjit të ri ndërpartiak që synon angazhim më të shtuar të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor

/TV Arbëria

 

 

 

 

 

Powered by WordPress