Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Zgjedhjet që mund ta thellojnë krizën

Zgjedhjet që mund ta thellojnë krizën

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Pas një bllokade disa mujore të Kuvendit dhe pas dështimit të dy mandatarëve nga Lëvizja Vetëvendosje për pozitën e kryeministrit, fillimisht të Albin Kurtit dhe herën e dytë të Glauk Konjufcës, vendi do të përballet më zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme me 28 dhjetor.

Kjo është hera e parë në historinë parlamentare të Kosovës që qytetarët e Kosovës do të detyrohen të shkojnë nga njëra palë në zgjedhje në tjerat pa qenë në gjendje të themelohen institucionet qendrore. Ka pasur qeveri që nuk e kanë përfunduar mandatin e plotë kushtetues, por jo që të kemi këtë realitet. Nuk ka dyshim se një dështim i tillë është pasojë e përkeqësimit të krizës së brendshme politike, si dhe akumulimit ekstrem të mosbesimit ndërmjet partive politike. Të gjitha variantet e bashkëpunimit janë shterur, dhe askush nuk ka besim në tjetrin.

Sidoqoftë, përtej këtyre dinamikave të brendshme, nuk mund të mohohet fakti se ekziston një frikë e subjekteve parlamentare për atë që i pret ditën që do të akomodohen në pushtet. Kurrë më shumë nuk ka qenë i pleksur helmi i brendshëm me shkëlqimin e jashtëm për këdo që do të jetë në qeveri.

Vizita e fundit e ministrit të Jashtëm gjerman në vendin tonë, krahas vendeve tjera në Ballkanin Perëndimor, mbase hedh dritë mbi disa arsyet latente të kësaj zvarritje të pafund. Pa ekuvioke shefi i diplomacisë gjermane, Johann Wadephul, deklaroi që sa më shpejt të përmbushën detyrimet si të Kosovës ashtu edhe të Serbisë, lidhur me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve të kodifikuar me Marrëveshjen bazë të Brukselit ashti edhe Aneksin e zbatimit të Ohrit. Me këtë rast i njëjti nuk la pa ia përkujtuar Prishtinës se duhet të angazhohet  urgjentisht në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sepse duhet të marr fund politika e provokimit të ndërsjelle dhe të menaxhimit permanent të krizave. Për të qenë të sinqertë kjo kërkesë nuk është vetëm e krye diplomatit gjerman. Pa hyrë në të kalurën vetëm këtë vit edhe zyrtarë tjerë perëndimorë që e kanë vizuar shtetin tonë, sikur Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy, e deri te Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, e kanë përsëritur këtë qëndrim.

Ky reagim në sinkron i diplomacisë perëndimore, tregon hapur se Kosova ndërkombëtarisht është peng i zbatimit të detyrimeve të sipër cekura. Se ajo nuk mund të lëviz asnjë metër në drejtim të agjendës euro-atlantike pa demonstruar progres, në raport me zotimet e saj. Dhe çdo kush e ka të qartë se nuk kanë shpëtim nga ai gogol politik, që është krijuar nga lufta e brendshme, herët apo vonë.

Është pikërisht ky presion i cili në masë të madhe ka ndikuar që i ka paralizuar partitë politike. Ato janë duke u përkujdesur që ta përmendin sa më pak që të jetë e mundur publikisht, por ai u qëndron si shpata e Demokleut mbi kokë. Fantazma e Asociacionit u rikthehet në tavolinë edhe atëherë kur e ushqejnë vetën me iluzione se janë çliruar përkohësisht nga vargonjtë e tij.

Prandaj, kjo është njëra nga arsyet që as zgjedhjet e reja të mos mund të prodhojnë rrugëdalje nga kriza që na ka kapluar, sepse partitë politike janë para një pozicioni që as nuk mund të mohojnë këtë detyrim, por as ta zbatojnë.