Shkruan: Afrim Kasolli
Ashtu siç e kishin parashikuar sondazhet e opinionit publik, rezultatet e zgjedhjeve që u mbajtën dje në Gjermani, nuk treguan ndonjë befasi. Partia e deritanishme opozitare CDU/CSU, nën drejtimin e Friedrich Merz, doli si forca e parë politike me 28.5 për qind të votave, duke u pasuar nga partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) me 20.8 për qind, si dhe nga Socialdemokratët e kryeministrit në detyrë Olaf Shcolz, me 16.4 për qind dhe partneri i tij i deritashëm qeveritar të gjelbërit, me 8.8 për qind dhe të majtit me 8.8 për qind. Se AfD do ta kishte këtë mbështetje, e kishin dëshmuar dhe zgjedhjet në disa lande që i ishin mbajtur vitin e kaluar, ku në shumë prej tyre ajo printe si forca e parë politike.
Ky rezultat tregon se këto zgjedhje zyrtarisht i ka fituar, kancelari në ardhje Friedrich Merz, por ngritjen më të madhe elektorale shihet qartë se e ka pasur rivalja e tij nga Afd, Alice Weidel. Prandaj, se a do të shërbejë ky mandat vetëm si trampolinë për t’ia shndërruar kësaj partie fitoren e sigurt për zgjedhjet e ardhshme kurdo që mbahen ato, apo do ta neutralizojë ndikimin e tyre elektoral në rritje, do ta varet nga aftësia e Qeverisë së re Gjermane, për t’i adresuar disa nga sfidat kryesore më të cilat përballet vendit i tyre. Dhe siç kanë treguar të gjitha hulumtimet sociologjike, çështjet ekonomike, imigracioni dhe siguria, janë disa nga plagomat më akute që presin zgjidhje imediate. Gjermania për një kohë të gjatë është konsideruar si shembull i modelit ekonomik.
Mirëpo, mrekullia e saj ishte e mundësuar nga ato rrethana gjeopolitike të cilat më nuk janë aktuale. Ajo bazohej kryesisht nga sigurimi i burimeve të lira energjetike ruse, eksporti i mallrave “made in Germany”, veçanërisht atyre industriale, sidomos në tregun kinez dhe garantimi i sigurisë nga prezenca ushtarake amerikane. Bie fjala, sipas të dhënave të Bankës Botërore, deri ne 50 për qind e GDP-së, së këtij shteti përfitohej nga eksporti. Mirëpo, sanksionimi i Rusisë për shkak të pushtimit brutal të Ukrainës e ka penalizuar tej mase ekonominë gjermane. Madje, krahas imigracionit, njëra nga arsyet e suksesit të Partisë së Afd ishte pretendimi i tyre, se ndëshkimi i Rusisë, më shumë e ka dëmtuar Gjermaninë se sa të parën.
Ndërkohë, Kina nuk e paraqet fuqinë e dikurshme blerëse , madje ajo më prodhimet e saj, sikur se me ato të makinave elektrike, është bërë njëri ndër konkurentët kryesor global të këtij shteti. Edhe marrëveshja që bëri shume bujë ndërmjet kancelarit Olaf Scholz me presidentin serb Aleksandër Vuciq, për shfrytëzimin e pasurive minerale të litiumit, nuk është asgjë tjetër pos investim strategjik me qëllim kufizimin e potencës ekonomike kineze. Kurse fitorja kandidatit republikan Donald Trump dhe qasja e tij transaksionale diplomatike, i ka dhënë fund iluzioneve të paqes së përjetshme post-historike. Këtë gjë e ka konfirmuar edhe Sekretari amerikan i Mbrojtës në mes të Brukselit, kur ka pohuar se siguria evropiane më nuk është interes primar i vendit të tij. Madje fillimi i drejtpërdrejt i bisedimeve politike me Rusinë, për fatin e luftës në Ukrainë, duke e përjashtuar si këtë të fundit, ashtu edhe BE-në, ka krijuar përshtypjen se Evropa më shumë si palë e barabartë do të trajtohet si meny në tavolinën, ndërmjet Presidentit Trump dhe liderit rus, Vladimir Putin. Për më shumë paralajmërimi e administratës së re amerikane se do të vendos tarifa tregtare edhe ndaj mallrave evropiane, do të ishin një goditje ndaj përpjekjeve për përmirësimin e ritmeve ekonomike gjermane.
Sipas statistikave aktuale mbi 10 për qind e produkteve nga ky shtet eksportohen, në tregun amerikan, ku 2.6 për qind e vendeve te punës varen nga ky raport. Sado të jetë në gjendje qeveria e re e Gjermanisë t’i adresojë këto sfida mbetet e të shihet. Në fund të fundit “fitues” i vetëm edhe i këtyre zgjedhjeve është thellimi i fragmentarizmi të skenës politike në Gjermani. Prandaj, tejkalimi i tyre do të varet nga konsensusi ndërmjet partive që kanë fituar ulëse në Bundestag, në formimin e qeverisë së re. Të gjitha partitë e qendrës e kanë përjashtuar bashkëpunimin me Alternativën për Gjermaninë. Mirëpo, nuk është se edhe të parat nuk kanë dallime ndërmjet vete, sidomos në tejkalimin e normës kushtetuese që ia ndalon shtetit të zhytet në borxhe publike me shumë se 0.35 për qind të GDP-së për një vit. E pa abrogimin e kësaj të fundit, sipas shumë analistëve ekonomikë, është iluzion që të priten investime si në sferën e mbrojtës një parakusht ky për sigurimin autonomisë strategjike nga Amerika, ashtu edhe sa i përket dinamizmit të jetës ekonomike.
Në këtë kontekst, nga një mundësi për tejkalim të ngërçeve aktuale, zgjedhjet e djeshme, mund të shndërrohen në burim edhe te një destabiliteti më të madh. Siç kanë shkruar, Liana Fix dhe Peter Sparding, në shkrimin, “In Germany, the Center Can Hold- But Only a Grand Coalition Can Foster Stability and Fend Off the Far Right”, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, zgjedhjet e parakohshme kanë qenë një fenomen i rrallë në këtë shtet. E tëra kjo për shkak të përvojës traumatike më Republikën e Vajmarit, ndërmjet dy luftërave botërore, ku shpërbërja e vazhdueshme parlamentit dhe fakti se asnjë qeveri e asaj kohe, nuk ishte në gjendje ta qonte mandatin deri në fund, ndikuan në shtrimin e rrugës për triumfin e fashizmit. Prandaj, shmangia e këtyre ekstremeve si dhe mbrojta e qendrës sot është njëri nga sfidat e politikës gjermane. Pavarësisht faktit, se e para ka filluar të gëzoje edhe mbështetje nga administrata aktuale amerikane. Por edhe vetë kandidati i tyre për kancelar Friedrich Merz, përkundër zotimit se kurrë nuk do të bashkëpunojë me parti të ekstremit të djathtë ka dëshmuar se mund ta bëjë një gjë të tillë, kur sipas tij “kauzat janë të drejta, por që mjerisht ato mund të mbrohen edhe nga njerëz të gabuar”.
Pikërisht, ajo që ishte konsideruar si tabu në politikën gjermane, nën shembullin e tij tregoi se nuk mund të konsiderohet më e tillë. Në mungesë të mbështetjes nga partitë e qendrës, sikur Partia Social Demokrate dhe ajo e Gjelbër, për planin e tij kundër imigracionit, u detyrua ta “përkulet” para partisë së ekstremit të djathtë të Alternativës për Gjermaninë.