Qasja ndaj abortit është një nga çështjet kryesore në garën për Shtëpinë e Bardhë. Fushata e demokrates Kamala Harris e ka bazuar një pjesë të fushatës së saj tek mbështetja për të drejtën e abortit me shpresën për të tërhequr votues në zgjedhjet e nëntorit. Kandidati republikan për president, Donald Trump dhe partia e tij e kanë zbutur qëndrimin e tyre publik kundër abortit.
Të drejtat e grave për abortin zënë një vend të rëndësishëm në takimet e Zëvendëspresidentes dhe kandidates demokrate për presidente, Kamala Harris.
“Ne që besojmë në të drejtat riprodhuese do t’i ndalojmë kufizimet ekstreme të Donald Trump-it ndaj abortit, sepse ne u besojmë grave që të marrin vendim për trupin e tyre dhe jo qeverisë që t’u tregojë se çfarë duhet të bëjnë”, thotë Harris.
Ish Presidenti Donald Trump e përshëndeti vendimin e Gjykatës së Lartë të vitit 2022 që shfuqizoi mbrojtjen federale për abortin. Zoti Trump thotë se u takon shteteve që të vendosin për abortin.
“Demokratët janë radikalë, jo të gjithë, sepse shumica e tyre pajtohen me ne. Qëndrimi ynë është se çështja e abortit tani u përket shteteve”, thotë Trump.
Kohët e fundit, republikani Trump dhe partia e tij e kanë zbutur retorikën ndaj abortit, ndërsa më parë bënin thirrje për një ndalim në shkallë kombëtare. Kjo nuk është rastësi, thotë ekspertja e sondazheve me Universitetin Rutgers, Ashley Koning.
“Zgjedhjet e mesmandatit dhe ato speciale nxorën në pah sesa e rëndësishme është çështja e abortit për votuesit. Amerikanët e mbështesin çështjen e shëndetit riprodhues dhe të abortit”, thotë Koning.
Demokratët e kanë bazuar platformën zgjedhore tek të drejtat e grave për të zgjedhur dhe po mbështesin klinikat që ofrojnë abort. Më 23 korrik, bashkëshorti i Zëvendëspresidentes Harris, Doug Emhoff vizitoi një qendër të shëndetit riprodhues në qytetin McLean të Virxhinias. Drejtoresha e qendrës, mjekja Jessica Rubio e vlerësoi mbështetjen.
“Besoj se kjo është një nga temat më të rëndësishme zgjedhore. Është e rëndësishme që zëvendëspresidentja dhe bashkëshorti i saj të përqendrohen tek kjo çështje, të vazhdojnë angazhimin me ne dhe të hartohet një plan”.
Mes grupeve kundër abortit, ka edhe nga ata që dyshojnë se çështja e të drejtave riprodhuese do të rrisë pjesëmarrjen në votimet e nëntorit.
Presidentja e Komitetit Kombëtar për të Drejtën e Jetës, Carol Tobias, thotë se dyshja republikane ka gjasa që të mos përqendrohet sa duhet tek aborti, siç po bën fushata e demokrates Harris.
“Mendoj se ata do të flasin për atë që mendojnë se është e rëndësishme. Nuk e di se në çfarë mase do të reagojnë ndaj saj (Harris). Ata duhet të flasin patjetër që një fëmijë i palindur është pjesëtar i familjes njerëzore që meriton mbrojtje”.
Analistët presin që fushata e Trump të vazhdojë t’i japë përparësi ekonomisë në takimet me votuesit, pasi historikisht, ky ka qenë shqetësimi kryesor i amerikanëve në zgjedhjet presidenciale./VOA