Shkruan: Afrim Kasolli
Pas një maratone një mujore elektorale populli më në fundi e tha fjalën e tij. Natyrisht, ky zë nuk është homogjen, siç manipulon Lëvizja Vetëvendosje. Mirëpo sido që të jetë vullneti i tij, ai duhet respektuar. Dhe këtë mbështetje qytetare nuk e fitoi partia në pushtet, por e humben partitë opozitare.
Kushdo që tenton ta paraqes këtë rezultat si fitore të këtyre të fundit, duke u nisur nga fakti se si tërësi kjo ka më shumë vota se sa partia në pushtet, nuk bënë asgjë tjetër pos që i riinkarnon skemat mentale të Albin Kurtit në vitin 2014, kur se bashku me subjektet tjera opozitare sikur LDK, AAK dhe NISMA e patën bllokuar PDK-në, e Hashim Thacit, me pretendimin se shumica e partive që e përfaqësonin elektoratin shqiptar, janë kundër tij. Mirëpo, as opozita nuk ishte unike. Madje këtë gjë e kishte pranuar edhe vetë lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai disa herë e kishte porterizuar vetën si të ndryshëm nga të gjitha partitë tjera politike, si në pushtet dhe opozitë. Dhe se këto të fundit, sipas tij janë njëlloj. E vetëm ai ishte i ndryshëm me rrugën e re.
Ndërkohë, që partia në pushtet është humbëse reale përkundër superioritet të madh elektoral me partitë tjera e dëshmon numri i madh i votave që i kanë rrjedhur në raport me zgjedhjet e vitit 2021. Mjerisht, dështimet e saj nuk kishte kush t’i kapitalizonte më shumë. Për katër vjet ato u futën në “gjumin e ariut polar” opozitar dhe i krijuan terren absolut kryeministrit Kurti. Secila prej tyre ranë në kurthin e shantazhit politik të tij sa i përket veriut, duke mos qenë në gjendje as ta përkrahnin e as ta kundërshtonin. Të gjithëve na kujtohen belbëzimet e përfaqësueseve të opozitës në Kuvend kur ishin sfiduar nga i pari i Qeverisë së Kosovës se a janë me koordinim apo pa koordinim që të luftohen strukturat paralele në veri. Kjo ndikoi që edhe aleatët perëndimorë më të mos i shohin si faktor kredibil në projeksionet e tyre politike. Prandaj, ato u pajtuan me menaxhimin e interesave private, kurse temën e sovranitetit ia besuan vetëm Albin Kurtit.
Ndërkohë, përpos veriut, opozita nuk ia doli të shndërrohet edhe në zë të dështimeve të brendshme ekonomike dhe sociale. Pavërisht, se në fund krejt fushatën e orientoi në terma ekomomik. Gjatë këtij mandati, sipas të dhënave të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, UNDP, në Analizën e Pulsit Publik “Shqyrtimi i Dinamikave të Varfërisë së Amvisërisë përballë inflacionit” varfëria ishte shtuar për 2 për qind. E të mos flasim për inflacionin dhe çmimet astronomike që i goditën familjet mesatare në Kosovë. Gjatë këtyre katër viteve po ashtu kishte rënë në sy rritja enorme e borxheve konsumuese, në njërën anë dhe fitimi i jashtëzakonshëm i bankave komerciale, në anën tjetër. Vetëm në vitin e fundit shuma e të parave ishte 720 milionë euro, kurse përfitimi i të dytave 182 milionë euro nga këto kredi.
Mirëpo, paradoksalisht megjithë këto trende negative të njëjtat hulumtime tregonin edhe diçka tjetër. Se përkundur shqetësimit për gjendjen ekonomike dhe sociale, e njëjta gjë nuk përkthehej edhe në pakënaqësi me pushtetin.
Këto kundërthënie mbase mund të shpjegohen me faktin se kjo pjesë e shoqërisë që dita ditës po varfërohej nga politikat qeveritare u braktis nga edhe nga liderët e opozitës. Këta të fundit nuk kishin kontakt me të. U tjetërsuan nga gjendja reale shoqërorë. Jetonin në qarkun e mbyllur të kapitalit të tyre dhe në botën e kafiterive e eventeve të modës. Kjo gjendje nuk mund të korrigjohet në fund me propagandë në rrjete sociale. As me mirëmbajtje të aleancave të brendshme familjare. Në këtë mënyrë këto të fundit mund ta ruajnë pushtetin e brendshëm partiak, por jo ta fitojnë edhe atë shoqëror dhe politik. Pra subjektet opozitare refuzuan të shndërrohen në parti të “anti-estabilshmentit” e t’i përfaqësonin ata që po i vuanin politikat e kryeministrit Kurti.
Mirëpo, paradoksalisht ky i fundit në mungesë të një narracioni alternativ u bë edhe zëdhënësi shpirtëror i atyre që po i privonte ekonomikisht. Çfarë ndikoi që ta ruante këtë diferencë të madhe me partitë opozitare. /TV Arbëria