Dushan Janjiq, themelues i Forumit për Marrëdhëniet Etnike në Beograd ka folur rreth zgjedhjeve të së dielës në veri të Kosovës.
Sipas mediave në gjuhën serbe, Janjiq ka thënë se kur është fjala për Prishtinën, nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të vazhdojnë, gjegjësisht të tentojnë të vendosin administratën e kryetarëve të rinj, gjë që sipas tij do të jetë jashtëzakonisht e vështirë sepse administrata nuk është vetëm një person.
“… Dhe nuk ka dyshim se vakumi institucional do të thellohet, edhe pse (Albin) Kurti sapo i organizoi zgjedhjet që gjoja të mos ketë vakum institucional…”, vlerëson Janjiq.
Andaj, siç ka vlerësuar ai, në veri të Kosovës nuk ka fitues të zgjedhjeve, sepse tani po fillon një fazë e re e kushtëzimit të vazhdimit të dialogut.
Kështu, Dushan Janjiq, tha se pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, po hyn në një fazë të re tensioni.
“Këtu nuk ka fitues, tani po hyjmë në një fazë të re tensioni dhe kushtëzimi me vazhdimin e dialogut për normalizim”, tha Janjic për Al Jazeera.
Në këtë drejtim, përkrahja e Brukselit dhe Uashingtonit për zgjedhjet në Kosovë, të cilat u mbajtën përkundër bojkotit të serbëve vendas, sipas Janjiqit nuk është e mirë dhe mund të ketë pasoja në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Dhe kjo situatë, sipas tij, i shkon në favor presidentit rus, Vladimir Putin.
“Mund të them vetëm në mënyrë cinike se deklaratat e BE-së në këtë moment e kanë ndihmuar Rusinë aq shumë sa Putin është shumë i kënaqur, sepse i kanë hapur një front të mundshëm. Së pari, për diskreditimin ndërkombëtar të Perëndimit si jodemokratik dhe së dyti, si një mundësi efektive për të ndërhyrë në situatë”, ka thënë ndër tjerash Janjiq.
/TV Arbëria