Kryeministri i Kosoës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova është gjithmonë e gatshme për zgjedhje të reja duke thënë se mund të jenë në vjeshtë ose në dimër.
Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, duke komentuar këtë deklaratë, tha se Kurti fillimisht duhet të japë dorëheqje, për t’i hapur më pas rrugë zgjedhjeve të reja.
“Z.Kurti mundet në një ditë të mirë me thënë po jap dorëheqje dhe atëherë me automatizëm që po shpallim zgjedhje, por kjo është në dorë të Kurtit. Së pari ai duhet të dorëhiqet dhe më pas t’i hapë rrugë zgjedhjeve të reja”, deklaroi ajo në një pronocim për GazetaBlic.
Tutje, deputetja e quajti qeverinë aktuale si qeveria me performancën më të keqe, e cila sipas saj po konsiderohet si ardhje në pushtet me mashtrime.
“Rezulatet e zgjedhjeve duke ditur që kjo qeveri ka pasur një performancë të keqe, ka ardhur në pushtet me mashtrime dhe vazhdon me mashtrime. Ka bërë konsensione në dëm të Kosovës, siç janë tokat e Manastirit të Deçanit, e ka pranuar Zajednicën, nuk i ka trajtuar as siç duhet sindikatat dhe nuk ka pasur bashkëpunim me shoqerinë civile, as me media”, tha ajo.
Kadriaj vlerësoi se qeveria Kurti edhe pse kishte të gjithë pushtetin nuk ka bërë asgjë dhe sipas saj kjo është qeveria më jo transparente që prej pas luftës.
“Është qeveria me jo transparente që prej pas lufte, nuk ka punuar në interes të qytetarëve dhe të popullit të Kosovës dhe mendoj që do të ndëshkohet. Janë sjellë me arrogancë dhe një kryeministër që ka pasur komplet pushtetin dhe që nuk ka bërë gjë. E ka pasur shumicën absolute në Kuvend dhe nuk është konsultuar me opozitën dhe nuk është marrë parasysh asnjë iniciativë e opozitës. Kanë punuar në interes të strukturave dhe njerëzve të partisë, pra një qeveri e korruptuar që mendoj se do të jetë qytetari që do të ndëshkojë partinë në pushtet”, deklaroi deuputetja e AAK-së Time Kadriaj.
Ndërsa, ish deputetja e PDK-së Xhevahire Izmaku, tani anëtare e nga Nismës Socialdemokrate, ka komentuar deklaratën e kryeministrit Kurti se Kosova është gjithmonë e gatshme për zgjedhje të reja, duke thënë se mund të jenë në vjeshtë ose në dimër.
Ajo tha se e mirëpresin si deklaratë, por që fillimisht kryeministri Kurti duhet të ofrojë dorëheqje si pranim i dështimit.
“Absolutisht, si deklaratë e mirëpresim, por dakordimi i opozitës është që kryeministri të ofrojë dorëheqjen si pranim të dështimit në shumë drejtime. Nëse vërtetë do t’ia ofrojë vendit një frymëmarrje politike dhe e ka të sinqertë këtë deklaratë, e ka në dorë vet”, deklaroi ajo.
Sipas saj, kryeministri Kurti i jep llogari Kuvendit të Kosovës dhe nuk mund ta dërgojë në shpërbërje, derisa ai është funksional.
“Ne jemi shtet me sistem parlamentar dhe përgjegjësitë janë të ndara, kryeministri i jep llogari Kuvendit dhe nuk mund ta çojë në shpërbërje kur ai është funksional. Kuvendi është funksional, e ka përdorë deri diku mirë diplomacinë parlamentare më mirë se qeveria, nuk e meriton me marrë fajin e qeverisë”, përfundoi Xhevahire Izmaku nga Nisma Socialdemokrate.