Pas takimit të partive politike me presidenten Vjosa Osmani duket se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme dhe, sipas opozitës, të imponuara nga situata politike në vend.
Kjo u kuptua edhe nga takimi i fundit ndërmjet krerëve institucionalë dhe partive politike.
Liderët e opozitës, Memli Krasniqi i PDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-së, kanë kërkuar që shpallja e zgjedhjeve të ndodhë sa më shpejt.
Sipas Kushtetutës, presidentja Vjosa Osmani duhet ta caktojë datën e zgjedhjeve deri më 5 nëntor.
Burime politike përmendin si data potenciale 7 ose 14 dhjetorin, në varësi të vendimit që pritet nga Presidenca.
Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti po kërkon edhe disa ditë shtesë, duke e zgjatur siç e quan opozita “agoninë politike” të qeverisë aktuale.
Ndërkohë, skena politike në Kosovë po hyn në një fazë të re tensioni. /TV Arbëria