SHBA mban sot zgjedhjet e mesmandatit, në gjysmën e mandatit të Presidentit Donald Trump. Qytetarët amerikanë do të votojnë për të 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 35 senatorë, ndërsa rreth 250 milionë qytetarë kanë të drejtë vote.
Ndonëse posti i presidentit nuk është në garë, rezultati i këtyre zgjedhjeve do të përcaktojë se cila parti do ta kontrollojë Kongresin gjatë gjysmës së dytë të mandatit të Trumpit.
Aktualisht, republikanët kanë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit. Në Senat, ata zotërojnë 53 vende, ndërsa demokratët kanë 45. Dy senatorë të pavarur janë të rreshtuar me demokratët. Ndërkaq, në Dhomën e Përfaqësuesve, shumica republikane është mjaft e ngushtë.
Megjithatë, sondazhet u japin demokratëve gjasa të konsiderueshme për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, si dhe mundësi për të fituar shumicën në Senat. Një rezultat i tillë njihet si “valë blu” dhe lidhet kryesisht me rënien e popullaritetit të presidentit aktual amerikan.