Për herë të dytë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të organizojë votimin në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.
Pas zgjedhjeve të fillimvitit, të mbajtura më 9 shkurt, KQZ do të mbyllë këtë vit me një proces tjetër zgjedhor, gjithashtu për Kuvendin e Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar për KosovaPress, se një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë, më 27 dhjetor do të hapen qendrat e votimit në 29 përfaqësitë diplomatike të shtetit të Kosovës për të mundësuar votimin e më shumë se 19,300 shtetasve të Kosovës.
“Më 27 dhjetor, procesi i votimit për zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës do të zhvillohet në 16 ambasada dhe 13 konsullata të shpërndara në 18 shtete të ndryshme të botës. Sipas kohës lokale, së pari votimi do të fillojë në konsullatën e Kosovës në Stamboll, për të vazhduar me hapjen e qendrave tjera në përfaqësitë diplomatike të vendosura në shtetet e Evropës. Në fund, votimi do të mbyllet me Uashingtonin, Nju Jorkun, Otavën dhe Toronton”, tha Elezi.