AVONET shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me zhvillimet e fundit në Komisionin e Pavarur për Media (KPM), ku anëtarët e këtij institucioni vendosën të zgjedhin një kryetar të ri para përfundimit të mandatit të kryetarit aktual.
Në komunikatë për media thuhet se zhvillime të tilla ngrejnë dyshime serioze mbi ligjshmërinë dhe pavarësinë e veprimeve dhe anëtarëve të këtij institucioni, duke vënë në pikëpyetje respektimin e kushtetutshmërisë dhe legjislacionit pozitiv në vendin tonë. Ndryshimet e rregullores dhe procedimi i zgjedhjes së kryetarit të ri pa transparencë dhe pa një proces të rregullt , përbën një praktikë shqetësuese, e cila mund të ndikojë drejtpërdrejt në funksionimin e lirë të mediave dhe lirinë e shprehjes në vend, të cilat janë edhe liri dhe të drejta të garantuara nga akti themeltar i Republikës së Kosovës, Kushtetuta e Kosovës.
Ky veprim, i cili është përcjellë me reagime të shumta nga mediat, shoqëria civile dhe ekspertë ligjorë, konsiderohet si një hap që rrezikon autonominë e një prej institucioneve kyçe për garantimin e pluralizmit medial. Në një demokraci funksionale, institucionet e pavarura duhet të mbeten të paprekura nga ndikimi politik dhe ndërhyrjet e pushtetit.
Ne kërkojmë nga KPM që të shqyrtojnë revokimin e këtij procesi dhe të garantojnë se çdo vendim në KPM bëhet në përputhje të plotë me ligjin dhe parimet demokratike. Zbatimi i ligjit në mënyrë selektive dhe ndryshimi i rregullave në favor të interesave të caktuara dëmton besimin në sistemin institucional të vendit.
AVONET kërkon urgjentisht nga KPM dhe institucionet e tjera relevante që:Të ofrojnë transparencë të plotë mbi procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të KPM-së.
Të garantojnë se veprimet e ndërmarra janë në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi.
Të ndalojnë çdo përpjekje për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në institucionet e pavarura.
Të sigurojnë që KPM të mbetet një institucion i pavarur dhe i paanshëm në raport me pushtetin politik.
Në një shoqëri e cila kultivon dhe ruan vlerat demokratike, institucionet e pavarura nuk mund të jenë objekt i manipulimit politik, dhe çdo tentativë për të kontrolluar hapësirën mediale duhet të refuzohet me vendosmëri nga të gjithë akterët e shoqërisë civile, komuniteti medial dhe qytetarët e Republikës së Kosovës
AVONET do të vazhdojë të ndjekë këtë çështje nga afër dhe të angazhohet për fuqizimin e demokracisë dhe lirisë së mediave në Kosovë.