Këshilli i BE-së ka vendosur që t’ja zgjasë edhe për pesë muaj mandatin përfaqësuesit të veçant për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Pra Miroslav Lajçak si ndërmjetës në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, do të jetë deri në janar të vitit 2025.
Ky vendim është komentuar mjaft shumë në skenën politike në vend, si nga analistët po ashtu edhe nga figura politike.
Por si është pritur ky vendim nga pushteti?
Për këtë ka folur deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje Agon Batusha, njëherit edhe anëtar në komisionin për Integrime Evropiane.
Batusha në një përgjigje për TV Arbëria ka thënë se dialogu ka nevojë për ndërmjetësues të rinj, si dhe qasje më të balancuar.
“Është procedurë dhe vendosje e BE-së. Mendoj që në aspektin e ndermjetësimit ka nevojë për rienergjizim por edhe për qasje më të balancuara. E kjo besoj do të ndodhë sapo të konsolidohen gjitha organet e BE-së”, ka thënë Batusha në një përgjigje për TV Arbëria.
Batusha tutje potencon se e rëndësishme është që të dënohen pjesëtarët e sulmit të 24 shtatorit në Banjskë dhe të nënshkruhen marrëveshjet e arritura.
“E rëndësisë të veçantë është të dënohen pjesëmarrësit në sulmin terrorist të Banjskës, si dhe të garantohen me nënshkrime marrëveshjet e arritura”, ka thënë ai.
Gjithashtu deputeti nga partia në pushtet thotë se do të vazhdojnë të japin kontributin e tyre dhe të mbajnë qëndrimet e tyre.
“Gjithsesi, ne do të vazhdojmë të japim kontributin dhe të mbajmë qëndrimet tona, pavarësisht kush vendoset si emër”, ka thënë Batusha. /TV Arbëria/