Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Zëvendësshefi i zjarrfikësve në Klinë: Shuarja e zjarrit në ETC ishte e vështirë

Zëvendësshefi i zjarrfikësve në Klinë: Shuarja e zjarrit në ETC ishte e vështirë

Zëvendësshefi në shërbimin e zjarrfikësve të Klinës, Izet Haxhaj deklaroi se me të marrë informacionin për zjarrin në objektin e ETC-së dolën në terren, por që sipas tij, shkaku i rrezikut të madh për përhapjen e zjarrit, u detyruan të thërrasin për ndihmë edhe ekipet e zjarrëfiksëve nga tri komuna të tjera. Sipas tij, rreziku për përhapjen e zjarrit ishte i madh për shkak të afërsisë së objektit të ETC-së me pompën e derivateve dhe me një fabrikë.

Haxhaj tha se me të marrë informacionin për zjarrin janë mobilizuar me të gjitha automjetet, por duke parë përmasat e zjarrit, ai potencoi se kërkuan ndihmë nga ekipet e zjarrfikësve nga Peja, Istogu dhe Gjakova.

“Sipas informacioneve që kemi marrë nga ndërrimi që ka qenë prezent në orarin e punës, informacioni është marrë diku rreth orës 6:30. Posa ka mbërri ekipi në vendngjarje, menjëherë na ka njoftu për rastin dhe menjëherë të gjithë zjarrfikësat e Klinës, këtu më afër që kanë qenë, jemi mobilizuar më të gjitha automjetet që i kemi pasur në dispozicion. Pastaj, duke e parë që zjarri ishte bukur me përmasa të mëdha, i kemi njoftuar menjëherë dhe shërbimet e tjera të zjarrfiksëve Peja, Istogu dhe Gjakova, të cilët i falënderoj, të cilët na kanë dalë në ndihmë me të gjitha, pajisjet e tyre që kanë pasur”, u shpreh ai.

Haxhaj u shpreh se e kanë pasur të vështirë ta mbajnë nën kontroll zjarrin, sepse siç tha, kur ekipi arriti në vendin e ngjarjes, zjarri kishte marrë përmasa të mëdha.

Tutje, Haxhaj tregoi për lëndimin që ka marrë një zjarrfikës, derisa ishte duke munduar ta shuante zjarrin.

“Ka qenë e vështirë shuarja e zjarrit për shkak që, ka qenë rreziku bukur i madh edhe për shkak të pompës së derivateve, në atë pjesën përmbrapa ka qenë edhe një fabrikë “Mirusha” që e quajmë na, kështu që ka qenë bukur teren dhe për të futur në kontroll për shkak të rrezikut të madh edhe të pompës që ka qenë afër. Ne jemi munduar me të gjitha pajisjet që kemi pasur, por zjarri pak ka qenë i përmasave të mëdha, kur kemi ardhur këtu dhe kështu që, ka qenë bukur rrezik me e fut nën kontrollë. Gjatë shuarjes së këtij zjarri vlen të theksohet se një zjarrfikës ka marrë lëndime të lehta për shkak të oksigjenit, por gjendja e tij shëndetesore është e mirë”, shtoi Haxhaj.

Në orët e hershme të mëngjesit, ETC në Klinë është përfshirë nga zjarri. Si pasojë e zjarrit, nuk është raportuar për ndonjë punëtor të lënduar.

/TV Arbëria