Përgjatë vizitës në Valletta, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, u prit në Parlamentin e Republikës së Maltës nga deputetë maltezë, anëtarë të delegacionit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
“Ahmeti njoftoi nikoqirët mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe përparimet në indekset e demokracisë, drejtësisë dhe sundimit të ligjit. Ai theksoi se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës është domosdoshmëri dhe çdo zvarritje vetëm sa ua pamundëson qytetarëve të vendit çasjen në mekanizmat mbrojtës të Këshillit të Evropës, me theks të veçantë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ai falenderoi deputetët për mbështetjen e tyre të fuqishme për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, duke kujtuar gjithnjë rolin e rëndësishëm dhe çasjen e guximshme që Asambleja Parlamentare e kësaj organizate ka pasur ndër vite”, thuhet në njoftimin e MPJD-së. /TV Arbëria