Shkruan: Afrim Kasolli
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut sot kanë mbledhje të përbashkët. Sipas njoftimit zyrtar të zyrës së kryeministrit Kurti, në këtë takim bilateral do të nënshkruhen disa marrëveshje dy paleshe. Kjo është vizita e parë e kryeministrit Hristijan Mickoskit në Republikën e Kosovës.
Mirëpo, përtej mungesës së takimeve të kësaj natyre për një kohë të gjatë me Qeverinë e Shqipërisë të drejtuar nga kryeministri Edi Rama, një mbledhje e tillë po ndodh edhe në një kontekst të pafavorshëm politik për shqiptarët në Maqedoni të Veriu, si dhe mungesës së një epilogu të qartë në lidhje me skandalin e fundit në Aeroportin ndërkombëtar të Shkupit ndaj Presidentes Vjosa Osmani.
Fillimisht, këto dy vende, si dhe Serbia, tashmë ndodhen në bllokadë sa i përket agjendës së integrimeve evropiane. Për dy të parat për shkak se e ky proces varet nga zbatimi i Marrëveshjes bazike të Brukselit si Aneksi i zbatimit të Ohrit. Kurse Maqedonia e Veriut nga refuzimi për ta plotësuar kriterin e vendosur nga Sofja zyrtare për ndryshime kushtetuese, ku elementi bullgar do përfshihej si kategori konstitucionale. Kjo edhe është arsyeja që tashmë BE-ja e ka ndarë rrugëtimin e Shkupit nga ai i Tiranës.
Kështu një Kosovë me raporte jo të mira me Shqipërinë dhe mosmarrëveshje si me Brukselin ashtu edhe Uashingtonin dhe një Maqedoni të Veriut po ashtu e bllokuar drejt BE-së, përfituese do të jetë vetëm Serbia. Sepse kjo e fundit ka kapacitete më mëdha për ta ushtruar hegjemoninë e saj mbi Shkupin. Madje edhe ky i fundit me dëshirë ka filluar ta shoh të parin si patron gjeopolitik.
Me këtë rast, qasja e re Maqedonisë së Veriut së pari “Ballkani e më pastaj Brukseli”, vetëm në interes të shqiptarëve nuk mund të jetë. Ajo do t’i mbajë peng këta të fundit në vorbullën e status-quos dhe interesave anti-perëndimore të shqiptarëve. Dhe për më shumë në vend të afrimit të këtij shteti me Bullgarinë, që ka qenë interes i kahershëm strategjik i shqiptarëve, kjo mendësi e inkurajon tjetërsimin e këtyre raporteve dhe afrimin me Beogradin, që është konforom projeksioneve të botës serbe.
Në anën tjetër, prej se ka ardhur në pushtet VMRO-DPMNE së bashku me koalicionin opozitar “VLEN” nga tabori i shqiptarëve janë ndërmarr veprime që e cenojnë disa nga arritjet e tyre në këtë dekade. Për herë të parë pas një kohe filloi arrestimi i ushtarëve të UCK-së me flet arreste nga Serbia. Nisi largimi i sinjalistikës në gjuhën shqipe në disa nga rrugët nacionale të këtij shteti, edhe pse ligji mbi gjuhët nuk e lejon këtë abuzim. Tabelet u larguan nga kompania JP “Drazvni putevi”, sikur se në rastin autostradës Bllacë-Shkup. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut e ka shfuqizuar “Balancuesin” – mekanizmin që rregullonte përfaqësimin “e drejtë dhe adekuat” të komuniteteve në institucionet shtetërore. Kurse tashmë po diskutohet edhe shfuqizimi i ligjit mbi gjuhët, i cili kishte hyrë ne fuqi në vitin 2019, sipas të cilit gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në vend.
Me këtë nuk po them se Kosova nuk ka interes të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore me shtetin e Maqedonisë së Veriut. Përkundrazi duhet kultivuar ato sa më shumë. Por jo duke i ushqyer paranojat populiste të nacionalizmit etnik maqedonas të proklamuar nga VMRO-DPMNE. Këtu nuk duhet harruar se sipas të gjitha anketimeve të opinionit publik një nga arsyet e suksesit të të kësaj partie politike ishte edhe manipulimi me sentimente anti-shqiptare, se si këta të fundit kanë përfituar më shumë se sa e meritojnë.
Në këtë kontekst, improvizimi i raporteve gjoja perfekte bilaterale ndërmjet dy vendeve vetëm sa e legjitimon këtë praktikë. Kryeministri Kurti për shkak të izolimit ndërkombëtar mund edhe të tentojë të krijojë impresione të çastit se është lider i respektuar rajonal. Por, nuk ka gabim me të madh politik dhe shtetëror se sa humbjen e peshës ndërkombëtare për të tentuar për ta plotësuar në krahët e një lideri të vogël ballkanik sikur Hristijan Mickoski, që premtim kryesor elektoral e ka pasur shpëtimin e maqedonaseve nga presioni i shqiptarëve dhe Bullgaria. /TV Arbëria