Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > “Zëri juaj shpëton jetë”: Policia mbyll fushatën kundër dhunës me bazë gjinore

“Zëri juaj shpëton jetë”: Policia mbyll fushatën kundër dhunës me bazë gjinore

Policia e Kosovës, përmes Divizionit të Policimit në Bashkësi dhe Drejtorisë për Parandalimin dhe Hetimin e Dhunës në Familje, ka përmbyllur sot fushatën globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Bazë Gjinore”, e cila u zhvillua nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor 2025, në të gjitha komunat e vendit.

Gjatë kësaj periudhe, në kuadër të projektit “Zëri që dikur heshti, sot dëgjohet”, Policia e Kosovës ka realizuar një sërë aktivitetesh vetëdijësuese në nivel vendi, përfshirë shfaqjen e video-spotëve sensibilizues, shpërndarjen e fletushkave dhe posterave informues, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për raportimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave.

Përmes angazhimit të vazhdueshëm të njësive të Policimit në Bashkësi, janë zhvilluar takime informuese me qytetarë, nxënës, përfaqësues lokalë dhe institucione partnere, me fokus të veçantë parandalimin e dhunës me bazë gjinore.Në shenjë solidariteti dhe përkushtimi institucional, ndërtesa e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës u ndriçua me dritë portokalli nga ora 17:00 deri në 24:00, si simbol i mbështetjes globale kundër dhunës me bazë gjinore. Ky aktivitet përmbyllës u realizua me përkrahjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Policia e Kosovës ka ritheksuar se mbetet e përkushtuar në parandalimin, identifikimin dhe trajtimin profesional të të gjitha formave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, si dhe në forcimin e bashkëpunimit me komunitetin, institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.Po ashtu, Policia ka apeluar që lufta kundër dhunës nuk kufizohet vetëm në 16 ditë, por është përgjegjësi e përditshme dhe përkushtim i vazhdueshëm institucional dhe shoqëror.