Gjatë një intervistë në “FIVE” të Dukagjinit, Zemaj deklaroi se Qeveria Kurti nuk ka treguar interes të vërtetë për integrimin e veriut të Kosovës, teksa theksoi se veprimet e qeverisë janë shpeshherë të drejtuara nga motive elektorale.
“Ne kemi pasur vërejtjet tona, edhe pse si strukturë politike kemi pasur një përkrahje nacionale sa i përket çështjes së Kosovës ose dialogut ose raportit me Serbinë. Dhe kjo nuk vihet në dyshim. Por mënyra se si është sjellë Qeveria, dhe gjërat që i ka zhvilluar me pompozitet dhe me reklamë për çështje të Facebook-ut dhe çështje elektorale, shpeshherë duke bërë edhe sfilata të panevojshme të ekzekutivit, është tregues që nuk ka pasur interes dhe një strategji që e integron veriun në plotni, pa e prekur kushtetutshmërinë dhe qasjen që e kemi ndaj mbrojtjes së territorit të RKS-së”, ka thënë Zemaj.
Sipas Zemajt, Qeveria e Kosovës ka kaluar në heshtje kërkesat për dënimin e Serbisë për sulmin terrorist të 24 shtatorit, teksa ka theksuar se edhe këtë ngjarje Qeveria e ka për përfitime elektorale.
“Në zhvillimet e fundit pas sulmit terrorist në veri të Kosovës, nga grupe që ishin të mbështetura hapur nga Serbia, kjo kaloi në heshtje nga Qeveria e Kosovës. Nuk them në heshtje në atë që e përdor si mekanizma elektoral, por kaloi në heshtje për kërkesën për dënueshmërinë e Serbisë. E që po kërkohet në vazhdimësi vetëm tash kur po shihen pasoja e një ofensive diplomatike të institucioneve të Qeverisë, kanë qenë në mungesë që Serbia ta merr dënimin e merituar”, ka shtuar Zemaj.