Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Zelensky thotë se Rusia i ka 50.000 ushtarë në Kursk

Zelensky thotë se Rusia i ka 50.000 ushtarë në Kursk

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se inkursioni i ushtrisë së tij në rajonin rus, Kursk, është duke zmbrapsur 50.000 ushtarë rusë.

Në adresimin e tij ditor para kombit, Zelensky ka thënë se operacioni është duke zvogëluar kapacitetet e Moskës për të kryer sulme brenda Ukrainës.

Presidenti ukrainas ka thënë që një kohë se ky është synimi kryesor i ofensivës, pavarësisht skepticizmit të disa aleatëve perëndimorë.

Sipas Institutit për Studime të Luftës, organizatë joqeveritare me seli në Shtetet e Bashkuara, Rusia i ka pasur rreth 11.000 ushtarë në Kursk kur Ukraina e ka nisur inkursionin e befasishëm në fillim të gushtit.

Megjithatë, në raportimet e të përditshmes amerikane New York Times, sugjerohet se Moska ka arritur të pozicionojë ushtarë në Kursk, pa pasur nevojë që t’i lëvizë ushtarët që ka në Ukrainë.

Sipas atyre raportimeve, ushtarët koreanoveriorë janë të angazhuar në Kursk, në kuadër të kundërofensivës ruse.

Në fjalimin e tij, Zelensky ka thënë se është informuar të hënën edhe nga komandantë të lartë ushtarakë për situatën në Kursk dhe njësitet ukrainase që janë pozicionuar aty.

“Burrat tanë kanë bllokuar 50.000 ushtarë të pushtuesit, i cili, për shkak të operacionit në Kursk, nuk mund të kryejë ofensiva tjera ruse në territorin tonë”, ka thënë Zelensky.

Komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskiy, ka thënë ndaras se, nëse nuk do të ishin forcat ushtarake ukrainase në Kursk, “dhjetëra mijëra armiq do të niseshin” në pozicionet ukrainase në rajonin e Donjeckut, zonë konflikti në të cilën luftohet që një dekadë.

Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara vlerësojnë që më shumë se 10.000 ushtarë koreanoveriorë janë dërguar në Rusi.

Moska, as nuk e konfirmon, dhe as mohon që trupat ushtarake prej Koresë së Veriut janë në Kursk.

Në Korenë e Veriut, lideri i shtetit, Kim Jong Un, është thënë të ketë nënshkruar një dekret për të ratifikuar një traktat të mbrojtjes me Rusinë.

Koreja e Veriut dhe Rusia janë afruar shumë prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, më 2022.

SHBA-ja e ka akuzuar vazhdimisht Phenianin se po i dërgon armatim Rusisë, përfshirë raketa balistike dhe lansuese raketash.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka sugjeruar se Pheniani është duke pranuar teknologji ushtarake dhe mbështetje tjetër ushtarake prej Moskës, duke i ndihmuar që t’iu shmanget sanksioneve./REL

Powered by WordPress