Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Zelensky: Takimi me Putinin vetëm pasi të diskutohet një plan i përbashkët me Trump

Zelensky: Takimi me Putinin vetëm pasi të diskutohet një plan i përbashkët me Trump

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se do të pranojë të takohet personalisht me udhëheqësin rus Vladimir Putin vetëm pasi të diskutohet një plan i përbashkët me Presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump.

Zelensky beson se homologu amerikan Trump ka rol kyç për t’i dhënë fund konfliktit Rusi-Ukrainë. Ai shtoi se Presidenti amerikan i dha atij numrin e tij të telefonit celular, përpara hapjes së Konferencës së Sigurisë të Mynihut të premten.

Presidenti Trump ndryshoi këtë javë politikën e mëparshme të mbështetjes amerikane për Ukrainën, pas një telefonate me Presidentin rus Putin.

Zelensky u takua të premten me Nënpresidentin amerikan JD Vance. Shumë analistë, veçanërisht në Evropë, shpresojnë se Vance do të hedhë pak më shumë dritë mbi idetë e Trump për arritjen e zgjidhjes së negociuar të luftës në Ukrainë.

Në fjalimin e tij gjatë konferencës së Mynihut, Nënpresidenti Vance u dha leksione zyrtarëve evropianë mbi fjalën e lirë dhe migrimin ilegal në kontinent. Ai paralajmëroi zyrtarët evropianë se rrezikojnë të humbasin mbështetjen e publikut nëse nuk ndryshojnë shpejt kursin.

“Nese keni frikë nga votuesit tuaj, Amerika nuk ka se si t’ju shpetojë”, tha Nënpresidenti Vance.

Fjalimi i Vance dhe përmendja e luftës 3-vjeçare në Ukrainë, u bë në një kohë shqetësimi dhe pasigurie të fortë mbi politikën e jashtme të administratës Trump.

“Uashingtoni tani ka një udhëheqës të ri. Nën udhëheqjen e Donald Trumpit, ne mund të mos pajtohemi me pikëpamjet tuaja, por ne do të luftojmë për të mbrojtur të drejtën tuaj për ta thënë atë publikisht”, tha Nënpresidenti Vance ndërsa publiku duartrokiste.

Nënpresidenti gjithashtu paralajmëroi zyrtarët evropianë kundër migracionit të paligjshëm, duke thënë se elektorati nuk votoi për të hapur “portat që të vërshojnë miliona emigrantë të pa verifikuar”. Ai iu referua një sulmi të enjten në Mynih, ku i dyshuari u njoftua së është një afgan 24-vjeçar, i cili mbërriti në Gjermani si azilkërkues në vitin 2016.

Gjatë incidentit mbi 30 persona u plagosën dhe duket se ai ishte i motivuar nga ekstremizmi islamik.