Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Zelensky: Po krijohet infrastruktura jashtë vendit për zhvillimin e zgjedhjeve në Ukrainë

Zelensky: Po krijohet infrastruktura jashtë vendit për zhvillimin e zgjedhjeve në Ukrainë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Jashtme ka nisur punën për krijimin e infrastrukturës së nevojshme jashtë vendit, me qëllim garantimin e zhvillimit të zgjedhjeve dhe pjesëmarrjes së qytetarëve ukrainas që ndodhen jashtë territorit të vendit.

Në deklaratat e tij, Zelensky theksoi se siguria mbetet kushti kryesor, pa të cilin zhvillimi i zgjedhjeve është i pamundur.

“Një nga zgjidhjet e mundshme për realizimin e procesit zgjedhor mund të jetë një armëpushim apo përfundimi i luftës, të paktën gjatë periudhës së zgjedhjeve,” tha presidenti ukrainas.

Zelensky nënvizoi rëndësinë që të gjithë qytetarët të kenë mundësi të votojnë, përfshirë edhe ushtarët që ndodhen në vijën e parë të frontit. Ai gjithashtu theksoi se nuk është në dorën e presidentit rus, Vladimir Putin, të vendosë se kur dhe në çfarë forme do të mbahen zgjedhjet në Ukrainë.

Gjithashtu, presidenti ukrainas bëri të ditur se Ukraina është e gatshme të falë një kredi prej 90 miliardë eurosh, nëse Rusia paguan dëmshpërblimet për dëmet e shkaktuara nga lufta.

Zelensky foli edhe për situatën e sigurisë në rajonin e Odesës, duke bërë të ditur se po zhvillohen hetime për problematikat e shumta të mbrojtjes ajrore në këtë zonë. Ai theksoi se përgjegjësit për këtë çështje po mbahen nën vëzhgim dhe se dialogu mbi këtë problem do të zhvillohet drejtpërdrejt mes tij dhe komandantit të forcave të armatosura, Oleksandr Syrskyi.