Volodymyr Zelensky dëshiron të shohë hapa konkretë diplomatik përpara se të vazhdohet me bisedimet e paqes, duke theksuar se këto nuk duhet të bëhen në kurriz të 30% të territorit të Ukrainës dhe në kurriz të popullsisë ukrainase.
“Mendoj se qasja jonë, nëse flasim për hapat tanë si në fushën e betejës, ashtu edhe diplomatikisht, është më afër paqes. Megjithatë, kjo rrugë është shumë e vështirë dhe të gjitha propozimet që ekzistojnë dhe që i keni dëgjuar tashmë nga shum vende të botës, janë thjesht deklarata politike. Kjo nuk është rrugë, nuk janë formula, nuk janë detaje”, nënvizoi ai gjatë deklaratave që u bëri përfaqësuesve të shtypit në Indi.
Kreu i shtetit ukrainas theksoi se ekspertë të ndryshëm bëjnë deklarata të ndryshme për përfundimin e luftës, por asnjëri prej tyre nuk ka një plan konkret.
“Sa herë që dikush flet për një zgjidhje diplomatike, unë gjithmonë e mbështes atë. Të gjithë duam që nesër të mos vritet asnjë ushtar, as edhe një nga njerëzit tanë. Ne e duam atë. Por nuk mund të negociosh me një maniak. Nuk funksionon kështu. Nuk funksionon me këtë person”, vazhdoi Zelensky.
“Të gjitha vendet e botës po i tregojnë atij (Putinit) për agresionin e tij. 143 vende në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së e njohën Federatën Ruse si agresore, i njohën ata (rusët) si fajtorë dhe pushtues. Çfarë bëri ai pas kësaj? Ukraina shkoi në Samitin e NATO-s, e ndjekur nga një sulm rus në spital. Gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, një sulm në shtëpitë tona vrau rreth 100 njerëz. Dhe ai (Putini) nuk shkon (në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së). Shikoni përgjigjet e tij ndaj diplomacisë”, vuri në dukje presidenti ukrainas.
Duke folur për diplomacinë, ai shpjegoi se do të donte të shihte hapa konkretë dhe se kjo nuk duhet të jetë në kurriz të 30% të territoreve të Ukrainës dhe jo në kurriz të popullsisë ukrainase.
“Nëse ekziston një plan i tillë, ne jemi të gjithë për të”, përmblodhi Zelensky, duke theksuar se përfundimi i luftës është i mundur vetëm nëse rivendoset integriteti territorial.