Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka falënderuar liderët perëndimorë për dërgimin e tankeve për të mbështetur luftën kundër Rusisë, por tha se ato duhet të dorëzohen shpejt.
Në fjalimin e tij të natës, Volodymyr Zelensky i kërkoi gjithashtu Perëndimit të dërgojë raketa me rreze të gjatë dhe avionë luftarakë, shkruan BBC.
Komentet e tij erdhën pasi SHBA dhe Gjermania njoftuan se do të dërgonin tanke Abrams dhe Leopard në Ukrainë, përcjell KosovaPress.
Rusia e dënoi njoftimin si një “provokim të hapur” dhe tha se çdo tank i furnizuar do të shkatërrohej.
Tanket do të “digjen si gjithë të tjerët”, tha Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin.
Zelensky tha se i tha Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg se “duhet bërë përparim në aspekte të tjera të bashkëpunimit tonë të mbrojtjes” – me Ukrainën që kërkon furnizime me raketa me rreze të gjatë dhe artileri.
Ai bëri presion jo vetëm për një dorëzim të shpejtë të tankeve perëndimore, por edhe për një numër të konsiderueshëm: “Ne duhet të formojmë një forcë të tillë tankesh, një forcë të tillë lirie që pasi të godasë, tirania të mos ngrihet më kurrë”.
Ndërsa Zelensky ka të ngjarë të përqendrohet tani në pajisjen e forcave ajrore të Ukrainës me avionë luftarakë më të avancuar teknologjikisht pas sigurimit të tankeve. Shumë qeveri perëndimore mbeten kundër një lëvizjeje të tillë – nga frika se avioni mund të përdoret për të goditur objektivat brenda Rusisë.
Në fjalimin e tij në Bundestag në Berlin të mërkurën, duke përshkruar detajet e planit të tankeve, kancelari gjerman Olaf Scholz këmbënguli se “nuk do të ketë dërgesa avionësh luftarakë në Ukrainë”.
Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi të mërkurën se SHBA do të dërgojë 31 tanke luftarake M1 Abrams në Ukrainë.
Vendimi për dorëzimin e tankeve u njoftua disa orë pasi Gjermania tha se do të dërgonte 14 Leopard 2 të saj në fushën e betejës ukrainase.
Berlini hapi gjithashtu rrugën për vendet e tjera evropiane për të dhuruar tanke të prodhimit gjerman nga rezervat e tyre.
Ukraina ka lobuar aleatët perëndimorë për të dërguar pajisjet për muaj të tërë.
Ajo përshëndeti njoftimet e dyfishta si një pikë kthese që do të lejonte ushtrinë e saj të rifitonte vrullin dhe të rimarrë territorin e pushtuar. pothuajse një vit pas pushtimit të Moskës.
Ai tha gjithashtu se tanket mund të ndihmojnë në parandalimin e një ofensive të mundshme ruse në pranverë.
/TV Arbëria