Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje ish-presidentit amerikan, Donald Trump që ta vizitojë Ukrainën, me një qëllim të vetëm.
Zelensky ia ka bërë ftesën Trumpit me qëllim që ai të ndajë planin për ndërprerjen e luftës në Ukrainë, e kjo sipas liderit ukrainas, të bëhet brenda “24 orëve”.
“Të lutem, Donald Trump, të ftoj ne Ukrainë, Kiev. Pra, nëse mund ta ndaloni luftën për 24 orë, mendoj se mund të jetë e udhës të vini… Ndoshta Donald Trump ka një ide të vërtetë dhe mund ta ndajë me mua”, ka deklaruar Zelensky në një intervistë për mediumin britanik, Channel 4.
Trump dëshiron të kthehet në Shtëpinë e Bardhë nëpërmjet zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në nëntorin e 2024-s. Agresionin rus ai pati thënë se mund t’i jepte fund për 24 orë.
Deklarimeve të Trumpit i ishte përgjigjur Zelensky atëbotë, duke shtuar se do t’i duheshin 24 minuta “për t’i shpjeguar se si nuk mund ta menaxhojë këtë luftë”.
Trump pati paralajmëruar se nëse nuk ndërpritet lufta e nisur më 24 shkurt të 2022-s në Ukrainë, bota do të përballet me luftë të tretë botërore.