Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > ​Zelensky falënderon Perëndimin për tanket

​Zelensky falënderon Perëndimin për tanket

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu falenderimin për vendimin e marrë nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania për dërgimin e tankeve në Ukrainë. Të mërkurën, Presidenti Joe Biden njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë 31 tanke Abrams. Vetëm pak orë më parë, Gjermania gjithashtu njoftoi se do të dërgojë 14 tanke Leopard drejt Ukrainës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky foli në një intervistë për kanalin Sky News për ndihmën e ofruar nga Perëndimi. Ai shprehu mirënjohjen për vendimet për të dërguar tanke në Ukrainë, megjithëse dërgesat me armatime duan kohë që të realizohen. I pyetur nëse do të ishte vonë që tanket nga Amerika të mbërrinin deri në muajin gusht, ai tha:

“Shumë vonë. Por nuk e di vërtet. Nuk e njoh situatën reale për momentin, se kur do të na i dërgojë Amerika tanket Abrams. Nuk di vërtet as se kur do të vijnë tanket nga Evropa… Askush nuk e di këtë sot. Sigurisht do ta mësojmë në ditët dhe javët në vazhdim, por është problem i madh”.

Zoti Zelensky shtoi se tashmë nuk është më i interesuar për të mbajtur bisedime paqeje me presidentin rus. Presidenti Joe Biden e bëri të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë njoftimin për dërgimin e tankeve.

“Sot po njoftoj se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë 31 tanke Abrams në Ukrainë, të barazvlefshme me një batalion ukrainas. Sekretari Austin e rekomandoi këtë hap që do të forcojë kapacitetet e Ukrainës për të mbrojtur territorin e saj dhe për të arritur objektivat e saj strategjike”, tha ai.

Njoftimi i Presidentit Biden erdhi vetëm pak orë pasi Kancelari gjerman Olaf Scholz njoftoi gjatë një fjalimi në parlament se Berlini do të ofrojë 14 tanke Leopard dhe do të japë miratimin që vendet evropiane të dërgojnë tanket e tyre drejt Ukrainës, me objektivin që brenda disa muajve të ardhshëm të krijohen dy batalione me tanke Leopard 2 për Ukrainën.

Njoftimi i Kancelarit Scholz pritej prej kohësh nga Ukraina, Polonia, vendet balltike dhe vende të tjera. Udhëheqësi gjerman tha se Berlini e mbështet Ukrainën, por e bëri të qartë se nuk dëshiron të provokojë Rusinë.

“Duhet ta bëjmë gjithnjë të qartë se po bëjmë çfarë është e domosdoshme dhe e mundshme për të mbështetur Ukrainën. Por në të njëjtën kohë, po parandalojmë që lufta të përshkallëzohet në një luftë mes Rusisë dhe NATO-s, dhe do të vazhdojmë gjithmonë t’i përmbahemi këtij parimi”, tha ai.

Presidenti Biden e falenderoi Kancelarin Scholz duke thënë se Gjermania i ka dalë në ndihmë Ukrainës. Presidenti amerikan vuri në dukje gjithashtu se qëllimi i tankeve është që të ndihmohet Ukraina të mbrojë territorin e saj.

“Nuk kërcënohet me ofensivë Rusia. Nëse forcat ruse do të riktheheshin në Rusi, do të ishin aty ku u takon të jenë. Kjo luftë do të kishte përfunduar tashmë. Këtë dëshirojmë të gjithë, një fund për këtë luftë me kushte të drejta dhe të qëndrueshme”, tha Presidenti Biden.

Ukraina pati bërë thirrje prej kohësh për 250 – 300 tanke. Ekspertët ushtarakë thonë se numri i përgjithshëm që vendet aleate kanë premtuar të dërgojnë deri më tani është rreth 90.

Në Moskë, Ministria e Jashtme e Rusisë i ka quajtur këto vendime të rrezikshme dhe paralajmëroi se do të përshkallëzojnë konfliktin./REL

Powered by WordPress