Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka dezinformuar se Perëndimi po përgatit destabilizime në Serbi duke i quajtur rifillimin e përpjekjeve “të forcave të caktuara keqdashëse” për të minuar situatën e brendshme politike në Serbi. Deklaratat dezinformuese Zakharova i bëri pas marrëveshjes që Serbia bëri me BE-në për litiumin dhe protestat e ambientalistëve në vend.
Çka deklaroi Zakharova?
Disa qarqe pseudodemokratike kërkojnë në mënyrë cinike të transformojnë shqetësimin e natyrshëm të qytetarëve për mjedisin, në veçanti, qëndrimin e tyre kërkues ndaj projekteve minerare në interes të zhvillimit të ekonomisë kombëtare dhe përmirësimit të mirëqenies së njerëzve, pavarësisht nga kostot dhe rreziqet në një lëvizje proteste.
Fjala është për skemën famëkeqe që u përdor në mënyrë të përsëritur në Ballkan (dhe jo vetëm) nga ideologët perëndimorë të “demokracisë së zonës” dhe pasardhësit e tyre vendas. Ideja është që të përdoren qëllime të mira për të nxitur emocione negative në shoqëri përmes mediave kukull dhe OJQ-ve dhe t’i kthejnë ato kundër udhëheqjes së shtetit me shpresën se autoritetet do të humbasin qetësinë dhe kontrollin mbi situatën.
Ne i konsiderojmë taktika të tilla shkatërruese dhe të papërgjegjshme. Abuzimet e këtij lloji, veçanërisht në kushtet aktuale të turbullta, përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për Serbinë, vënë në pikëpyetje përpjekjet e vazhdueshme të Presidentit dhe Qeverisë së saj për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve të saj dhe pengojnë zbatimin e një kursi të pavarur dhe parimor si në çështjet e brendshme ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Zakharova dezinformon kur thotë se protestat në Serbi po nxiten nga Perëndimi kundër pushtetit në Serbi. Protestuesit në Serbi e kundërshtojnë për shkak të bindjes së një pjese të qytetarëve dhe aktivistëve se miniera do të kishte pasoja të mëdha për mjedisin. Gjithashtu, shumica e partive opozitare në Serbi janë kundër minierave të litiumit. Megjithatë, Perëndimi nuk i nxit protestat sepse marrëveshjen e konsideron të rëndësishme për shkak të litiumit që përdoret si lëndë e parë e makinave elektrike.
Edhe pse Rusia ka dezinformuar edhe në të kaluarën se Perëndimi po nxit destabilizim në Serbi, gjë që asnjëherë nuk ka ndodhur, aleati i Rusisë, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar se kanë pranuar informacion zyrtar nga Federata Ruse dhe se po e analizojnë. “Ata që ëndërrojnë të arrijnë diçka me forcë, do të dështojnë”, ka vazhduar Vuçiq një retorikë të ngjashme me Zakharovën./The Geopost