Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Zëdhënësi i Hezbollahut vritet gjatë një sulmi në qendër të Bejrutit

Zëdhënësi i Hezbollahut vritet gjatë një sulmi në qendër të Bejrutit

Gjatë një sulmi të rrallë ajror izraelit në qendër të Bejrutit është vrarë zëdhënësi kryesor i Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.

Kështu konfirmoi një zyrtar i Hezbollahut, grupit që është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka futur në listë të zezë krahun ushtarak të grupit, por jo edhe partinë politike. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.

Vrasja e këtij zyrtari të lartë të Hezbollahut ndodhi në kohën kur zyrtarët libanezë janë duke e shqyrtuar një propozim për armëpushim, të mbështetur nga SHBA-ja.

Mohammed Afif, kreu për komunikim me media i Hezbollahut, u vra gjatë një sulmi ndaj zyrave të partisë socialiste arabe, Baath, në qendër të Bejrutit, tha zyrtari i Hezbolllahut, i cili foli në kushte anonimiteti pasi nuk ishte i autorizuar që të fliste për mediat.

Afif kishte qenë mjaft aktiv në media që kur janë intensifikuar këmbimet e zjarrit mes Hezbollahut dhe Izraelit shtatorin e këtij viti.

Izraeli ka vrarë disa zyrtarë të lartë të Hezbollahut, përfshirë edhe udhëheqësin e grupit, Hassan Nasreallah.

Nuk kishte paralajmërime nga Izraeli për evakuim para sulmit të kryer në qendër të Bejrutit, ndërkaq Izraeli ende nuk ka komentuar për këtë rast.

Izraeli po ashtu më 17 nëntor ka sulmuar edhe disa ndërtesa në periferitë jugore të Bejrutit, ku Hezbollahu ka selinë. Para se të kryheshin sulmet në periferi të Bejrutit, Izraeli kishte lëshuar urdhra për evakuimin e civilëve.

Hezbollahu dhe Izraeli nisën të këmbenin zjarr në kufi tetorin e vit të kaluar, kur nisi lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore në Liban që nga 23 shtatori dhe më pas ka nisur edhe një ofensivë tokësore.

Autoritetet libaneze kanë thënë se më shumë se 3.452 persona janë vrarë që nga tetori i vitit të kaluar dhe shumica e viktimave janë regjistruar që nga shtatori i këtij viti. Ndërkaq, Izraeli ka raportuar për 48 të vrarë gjatë luftimeve me Hezbollahun./Radio Evropa e Lirë

Themes by WordPress