Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > ​Zbulohet pllaka përkujtimore e dëshmorit Isuf Krasniqi, kujtohet heroizmi i tij për trojet shqiptare

​Zbulohet pllaka përkujtimore e dëshmorit Isuf Krasniqi, kujtohet heroizmi i tij për trojet shqiptare

Sot, në Negroc të Drenasit u zbulua pllaka përkujtimore e dëshmorit për mbrojtjen e trojeve të Shqipërisë etnike, Isuf Islam Krasniqi.

Në akademinë përkujtimore për dëshmorin Krasniqi, u tha se në vitet e stuhishme të Luftës së Dytë Botërore mbrojtja e qenies shqiptare e trojeve etnike ishte misioni më i madh kombëtar i kohës.

Përfaqësuesi i komunës së Drenasit, Milaim Hajdari tha se përkujtimi i jetës dhe veprës së dëshmorit Isuf Krasniqi dhe zbulimi i pllakës përkujtimore tregon se shqiptarët gjatë gjithë historisë ishin rreshtuar në rrugën e drejt të çlirimit.

Ai tha se Drenica ka dhënë bijtë dhe bijat më të devotshëm në shërbim të lirisë dhe çlirimit.

Hajdari: Kjo trevë ka dhënë bijtë dhe bijat më të devotshëm në shërbim të lirisë e çlirimit

“Sot është njëra ndër ditët më të rëndësishme për të dëshmuar se lufta jonë për liri dhe pavarësinë e vendit ka vazhduar me dekada e shekuj. Dhe kjo trevë ka dhënë bijtë dhe bijat më të devotshëm në shërbim të lirisë dhe çlirimit. Negroci dhe fshatrat përreth jo vetëm në luftën e fundit, por gjatë gjithë historisë kanë qenë në ballë të lëvizjeve kombëtare për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Dhe kjo dëshmon edhe për heroizmin e dëshmorit të kombit Isuf Islam Krasniqi”, theksoi Hajdari.

Në emër të shoqatave të dala nga lufta e UCK-së, dega në Drenas, Enver Hajdari u shpreh se të gjithë të rënët për liri duhet të përkujtohen dhe nderohen.

Hajdari: Dëshmorët meritojnë të përkujtohen

“Ata që dhanë gjak për këtë tokë, ata që kontribuuan për këtë vend, herët e vonë do të ndritët një ditë. Prandaj, rasti i sotëm dhe i gjithë dëshmorëve të tjerë që e meritojnë ta kenë një pllakë përkujtimore duhet t’i përkujtojmë me nder… Megjithatë, sot pas 22 vjetësh po ballafaqohemi me padrejtësi të mëdha, sepse lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë, dhe falë kësaj lufte kemi intervenimin e NATO-s. Edhe pse luftën e UÇK-së dhe ushtarët e saj i quajnë mercenarë, por luftën e UCK-së kurrë nuk do të arrijnë ta nënçmojnë dhe nëpërkëmbin”, tha ai.

Në emër të familjes Krasniqi, profesori Islam Krasniqi u shpreh se dëshmori Isuf Krasniqi dhe të gjithë të rënët tjerë në betejën e Kolashinit nuk janë me frymë, por që në kujtesën tonë historike mbeten të gjallë sa të ketë shqiptarë.

Krasniqi: Baci Isuf dhe të rënët e tjerë mbeten në kujtesën tonë historike

“Lutemi ta ketë pasur shpërblimin e Zotit dhe shpirti i tij të prehet në parajsë. Besojmë të jetë ashtu, sepse ai dha jetën në mbrojtje të atdheut. Po citoj: “Kush vdes në mbrojtje të atdheut shkon shehit”, thuhet në letërsinë e besimit islam. Baci Isuf dhe të rënët tjerë në betejën e Kolashinit nuk janë me frymë, por në kujtesën tonë historike mbeten të gjallë sa të ketë shqiptar”, tha ai.

Ndërsa, profesori i historisë Ibrahim Gashi në këtë akademi foli për kontekstin e Luftës së Dytë Botërore dhe Kosovën.

Isuf Islam Krasniqi (28.11.1916-17.1.1944) është dëshmor i rënë në Kolashin më 1944, pjesëtar i njësiteve vullnetare, në betejën për mbrojtjen e trojeve të Shqipërisë etnike./TV Arbëria