Blog Post

Arbëria TV > Kronikë e zezë > Zbulohen tre laboratorë të drogës në veri të Mitrovicës, arrestohen dy persona

Zbulohen tre laboratorë të drogës në veri të Mitrovicës, arrestohen dy persona

Policia e Kosovës ka njoftuar se në aksionin e sotëm antidrogë në veri të Mitrovicës, ka zbuluar tre laboratorë droge dhe ka arrestuar dy të dyshuar, operacioni policor i koduar me emrin “Shpata”.

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ka konfirmuar se sot më 12.02.2023, në rajonin e Mitrovicës veri, ka realizuar një operacion policor antidrogë, me mbështetjen edhe të njësive tjera relevante policore.

Gjatë realizimi të këtij operacioni antidrogë është arritur të zbulohen tre laboratorë me bimë narkotike; dy laboratore me rreth 1200 bimë narkotike, si dhe laboratori i tretë (pa bimë) me pajisje të sofistikuara për kultivim të bimëve narkotike në të.

Njësitet policore deri në këtë fazë kanë arritur të arrestojnë dy persona të dyshuar meshkuj serbë, përderisa të gjitha veprimet tjera policore në proces po ndërmerren dhe do të ndërmerren ne bashkërendim me organet e drejtësisë.

Policia e Kosovës thekson se mbetet fuqishëm e përkushtuar në luftimin e të gjitha aktiviteteve kriminale në vend, në veçanti luftë e pakompromis do të zhvillohet ndaj personave apo grupeve kriminale që merren me abuzimin, posedimin, kultivimin apo trafikimin e substancave narkotike (drogave) në përgjithësi.


/TV Arbëria