Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka njoftuar bashkëatdhetarët se e vetmja formë për donacion për Forcën e Sigurisë së Kosovës është nëpërmjet llogarisë bankare në Bankën Qendrore të Kosovës,
Kjo pasi është shpërndarë një link për donacione për këtë fond.
“Njoftojmë të gjithë bashkatdhetarët se linku https://donorbox.org/fsk-donation , i raportuar së fundi nga bashkatdhetarët në SHBA, nuk ka të bëjë asgjë me donacionet për Fondin e Sigurisë së FSK-në dhe është mashtrim. Rikujtojmë se e vetmja formë për donacion për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) është nëpërmjet llogarisë bankare në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, llogari për Fondin e Sigurisë”, thuhet në reagim.
Qeveria e Kosovës ka themeluar Fondin e Sigurisë në mars të vitit 2022, ku qytetarë dhe donatorë të ndryshëm mund të kontribuojnë përmes një xhirollogarie bankare.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë në atë kohë se ky fond është themeluar duke u bazuar në nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila është në proces të shndërrimit në ushtri, si dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë.
Paratë e mbledhura në këtë fond, sipas Qeverisë së Kurtit, do të shkojnë si buxhet shtesë për Ministrinë e Mbrojtjes. /Express/