Një lojtar i Liverpoolit ka zbuluar aksidentalisht planet e trajnerit Arne Slot për transferimet e verës, teksa janë në pritje të nënshkrimit të parë.
Liverpooli po përgatitet për sezonin e tyre të parë nën urdhrat e Arne Slot, pasi holandezi e zëvendësoi Jurgen Kloppin i cili qëndroi pothuajse një dekadë në ‘Anfield’.
Gjiganti i Ligës Premier ende nuk ka kompletuar ndonjë blerje këtë verë, ndërsa ekipet tjera rivale si Arsenali, Manchester United, City dhe Chelsea që të gjitha kanë bërë disa nënshkrime të reja.
Sipas mesfushorit Wataru Endo, Liverpooli po përgatitet për jetën pa Mohamed Salah i cili besohet se do të largohet nga Anglia.
Kontrata e reprezentuesit egjiptian do të skadojë verën e ardhshme dhe ai ende nuk ka nënshkruar një marrëveshje të re.
Në një intervistë për Abema Sports Time, Endo ka identifikuar sulmuesin e Real Sociedadit dhe bashkëlojtarin e tij tek Japonia, Takefusa Kubo, si dikush të cilin do të donte ta shihte si zëvendësues të Salahut.
“Kërkimi për një zëvendësues të Mohamed Salah ka filluar kështu që kjo po bëhet një fushë e vërtetë për t’u përforcuar nga Liverpooli”.
“Unë mendoj se lojtari i cili mund ta zëvendësojë atë nga kombëtarja jonë, do të ishte Kubo”, ka thënë Endo.
Disa gazeta të ndryshme japoneze kanë raportuar se Liverpooli është shumë afër arritjes së marrëveshjes me Real Sociedadin për transferimin e Kubos, ndërsa bisedimet me përfaqësuesit e 23-vjeçarit janë në fazën finale.
Kubo numëron rreth 85 paraqitje me fanellën e Real Sociedadit, aty ku ka arritur të shënojë 16 gola dhe të asistojë në 14 të tjerë.