Kontrata e Lamine Yamalit me Barcelonën do të skadojë në qershor të vitit 2026, por ylli i ri spanjoll e ka një ofertë në tavolinë për ta vazhduar atë deri në vitin 2030, ndërsa do të zyrtarizohet pas 13 korrikut, kur do t’i mbushë 18 vjet.
Përfaqësuesi i ri spanjoll nuk ka dyshime.
“Nuk besoj që askush nuk dyshon se sa e dua këtë klub. E kam thënë gjithmonë dhe mendoj se gjithçka do të shkojë mirë. Nëse të dyja palët duan, do të ndodhë. Mirëpo, nuk besoj se askush mund të dyshojë për atë që e ndiej për këtë klub”, deklaroi kampioni i Evropës në një intervistë për “Mundo Deportivo”, përcjell.
Sidoqoftë, ai nuk po mendon shumë për këtë punë pasi është i fokusuar në gjëra të tjera.
“Ka ende rrugë mjaft të gjatë para se ta mbyllim këtë sezon. Në fillim të sezonit të ardhshëm do të zgjidhet gjithçka dhe në atë kohë mund t’i bëjmë llogaritë. Për momentin jam i koncentruar në ligën spanjolle, në Ligën e Kampionëve dhe në Copa del Rey, që është gjëja më e rëndësishme”, vazhdoi ai.
Ai foli edhe për ofertën e Paris Saint-Germainit.
“Nuk e di ende, por edhe nëse do të arrinte një ofertë tek personat përreth meje, të paktën do të ma thoshin. Mbi të gjitha, sepse e kam një kontratë dhe më pas sepse e përsëris se për mua duket e pamundur të shkoj në një klub tjetër”, nënvizoi tutje sulmuesi i krahut.
“Në Barcelonë gjatë tërë jetës? Paj, është skuadra e vetme në të cilën kam luajtur, përpos La Torreta, ku kam nisur gjithçka. Por, po, i jam mirënjohës Barcelonës. Më pëlqen gjithçka këtu: skuadra, klubi, tifozët, dhomat e zhveshjes, stafi. Këtu në Barcelonë gjithçka është perfekte dhe e vërteta është se jam mjaft i lumtur që kur kam nisur të punoj me ekipin e parë. Mikpritja dhe dashuria që ma kanë demonstruar tifozët dhe bashkëlojtarët ishte e hatashme dhe e paparë”, përfundoi Yamal.