Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Xhavit Haliti, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës, ka shprehur falënderime për votuesit që e mbështetën në procesin zgjedhor të 9 shkurtit 2025.
Në një deklaratë, Haliti tha se ndihet i nderuar dhe i falënderuar për besimin e qytetarëve të Kosovës dhe diasporës, të cilët kanë besuar në angazhimin e tij për liri dhe pavarësi. Ai njoftoi se mbi 15,500 qytetarë votuan për të, një numër që, megjithëse nuk ishte i mjaftueshëm për të siguruar një mandat të shtatë në Kuvend, është një tregues i qartë se puna dhe angazhimi i tij nuk kanë kaluar pa u vënë re.
Haliti theksoi se do të vazhdojë të jetë një zë i fuqishëm për qytetarët dhe për realizimin e ëndrrës për një Kosovë më të mirë. Ai gjithashtu bëri thirrje për krijimin sa më shpejt të institucioneve të reja funksionale, për të garantuar një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Mbështetja juaj është burim fuqie për të kontribuar në ndërtimin e një Kosove më të zhvilluar dhe më të sigurt. Kosova ka nevojë për stabilitet dhe zhvillim të vazhdueshëm, dhe jam i bindur se me punë të palodhur do të arrijmë ta çojmë përpara vendin tonë,” tha Haliti.
Ai përfundoi me një mesazh urimi për deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të gjithë deputetët e tjerë, duke u dëshiruar suksese në punën e tyre për të mirën e Kosovës. /TV Arbëria