Ish-deputeti dhe një nga figurat kyçe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Haliti, ka reaguar pas debatit të hapur në opinion publik lidhur me një artikull të bashkautorësisë së kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ku UÇK-ja përmendej në kontekst negativ.
Haliti ka thënë se nuk është vetëm Dimal Basha që ka ndërmarrë qëndrime të tilla, duke shtuar se disa “Dimala” kanë bërë “copy-paste” nga raportet e shërbimeve sekrete serbe.
“Nuk është vetëm Dimal Basha. Janë disa Dimala që kanë marrë copy-paste nga analitika e UDB-së e BIA-s serbe, e cila i ka përgatitur raportet e tyre kundër UÇK-së”, ka shkruar Haliti.
Reagimi i plotë:
Jam krenar për kontributin tim në UÇK. Janë disa “Dimala” që kopjojnë analitikën e UDB-së e BIA-s
Nuk është vetëm Dimal Basha. Janë disa Dimala që kanë marrë copy-paste nga analitika e UDB-së e BIA-s serbe e cila i ka përgatitur raportet e tyre kundër UÇK-së. Duke pas parasysh rolin tim në organizimin e UÇK-së e në diplomacinë e saj, fushatën e kanë bërë për denigrimin tim.
Këta tipa janë shitur me para për të shkruar e denoncuar drejtuesit kryesorë të UÇK-së.
Në veçanti tabelë çitje për 30 vjet kam qenë unë e anëtarët tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Dosjet e përgatitura nga eksponentë të politikës disfatiste, deklaratat e “analizat“ e “Dimajlave” janë të shumta. Por ne qëndrojmë vertikalisht e të paluhatshëm, krenarë për gjithçka që kemi bërë dhe i kemi dhënë shans Dimalit të bëhet Kryetar Kuvendi e Dimalave tjerë me u krenu me të.
Jeta ime ka qenë e do jetë e lidhur me interesat e Kosovës, si duket edhe atyre që e kanë votuar Dimalin edhe e atij që ju ka thënë ta votojnë ju ka pëlqyer analiza e Dimalit.